Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për Aurel Zarkën, i cili ndryshe nga GJKKO, kërkonte rikualifikimin e veprës penale si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjykata ka dërguar çështjen për rishqyrtim me trup tjetër gjykues.
Sipas njoftimit, gjykata ka vendosur “Prishjen e vendimit nr.62 (87-2025-398) datë 12.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.”
Zarka bëri rekurs vendimin që i prishi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg në shkallë të parë duke kërkuar rëndim të veprës penale si grup i strukturuar kriminal, me argumentin se nuk mund t’ia rëndonte situatën penale.
Zarka u shpall fajtor për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Për këto akuza, ai u dënua me 4 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, u përkthyen në 2 vite e 8 muaj. Ai është akuzuar gjithashtu për përdorimin e aplikacionit SkyECC.
“Toyota Auris”, u regjistrua si çështje penale pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin, vëllain e Elvis Vladit dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.
Katër të pandehurit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste kanë ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë në 8 çështje penale, përfshirë gjykimin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.



