Kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, gjatë konferencës për mediat u pyet në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga kryedemokrati Lulzim Basha për përfshirjen në çështjen “Toyota Yaris”.

Balla u shpreh se Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda ka dënuar për shpifje kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, teksa procesi po vijon për të marrë formë të prerë në Apel.

Balla sugjeroi gjithashtu kryedemokratin që të kallëzojë penalisht Sali Berishën

“E para që lidhet me të ashtëquajturën çështja “Toyota Yaris”, unë e përmenda, unë jam fitues me zotin Basha në gjyq penal në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Besoj se nga të dhënat dhe argumentet e depozituara nga avokatët e mi në Gjykatë kundër zotit Basha do të fitojmë dhe në nivelin e dytë që merr formë të prerë, në Apel.

Do të interesohem deri në fund që zoti Basha të paguaj penalitetin dhe duke qenë se është gjyq penal, shkon në fondet e shtetit shqiptar. Do t’i sugjeroja se duke qenë se tashmë zoti Basha është nën akuzë nga zoti Berisha, nëse zoti Basha mendon se është i pafajshëm duhet të kallëzoj penalisht qoftë në prokurori, por dhe padi penale por dhe civile për shpifje në gjykatën e Krimeve të rënda. Kjo është një çështje që e ka marrë përgjigjen”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re