Arti, kultura dhe tradita malazeze ka trokitur në Tiranë në kuadër të javës kulturore të Malit të zi. Një larmishmëri aktivitetesh nga veriu në jug, që nisën me një paradë të bandës frymore në rrugët e kryeqytetit, për të vijuar më pas me ekspozita dhe panaire, i dedikohen promovimit dhe traditës së shtetit fqinj.

 

Javët kulturore kanë sjellë ndër të tjera emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare, ndaj ministrja Elva Margariti premton edhe shumë artistë, të cilët do t’i bashkohen Shqipërisë.

 

Gjatë prezantimit të kalendarit artistik, e pranishme ishte edhe ministrja e Malit të Zi, Masha Vlaoviç, e cila gjatë fjalës së saj vuri theksin në rëndësinë e njohjes së ndërsjellë të kulturës së dy vendeve.

 

MASHA VLAOVIÇ

 

MINISTRE E KULTURES SË MALIT TË ZI

 

“Bashkëpunimi në fushën e kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, ka qenë gjithmonë në nivel të lartë, që dëshmohet edhe nga Programi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, për periudhën 2023-2025, që u nënshkrua pak kohë më parë. Vizita e sotme në Tiranë është një mundësi për të diskutuar rreth modeleve të reja të bashkëpunimit dhe të përcaktojmë aktivitet tona të përbashkëta në të ardhmen.”

 

Javët kulturore, të kthyera tashmë në një traditë përmes misionit të tyre për të afruar botën me Shqipërinë përmes artit dhe e anasjella, kanë ndikuar ndjeshëm edhe në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë.

 

Mali i Zi bëhet pjesë për herë të parë e javëve kulturore, që po mbahen për të dytin vit radhazi në Shqipëri dhe po mirëpresin mbi 19 shtete të ndryshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re