Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë persona të arrestuar dy ditë më parë, të dyshuar për përfshirje në një rrjet të trafikut të armëve.

Me kërkesë të Prokurorisë, masa e sigurisë u caktua për shtetasit: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.

Gjatë seancës gjyqësore, asnjë nga të dyshuarit nuk dha shpjegime, ndërsa mbrojtja argumentoi se arrestimet janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke ngritur dyshime mbi legalitetin e blerjeve të stimuluara. Sipas tyre, policia ka provokuar veprime të paligjshme përmes nxitjes së drejtpërdrejtë.

Avokatët mbrojtës kërkuan gjithashtu akt-ekspertizat për funksionalitetin e armëve të sekuestruara dhe shpalljen si të paligjshëm të arrestimeve.

Prokuroria, nga ana tjetër, paraqiti në gjykatë akt-ekspertizat e kryera për armët e sekuestruara më herët në kuadër të të njëjtës hetim, kur u arrestuan Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi. Një nga armët e kapura në atë rast rezultoi jashtë funksionit.

Operacioni i zhvilluar nga strukturat e rendit çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe municionesh: 14 armë zjarri (përfshirë 12 pistoleta, një prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2,077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 aparate celularë.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko