Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen për trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë.

Personat u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Transportuesi 4”. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, krehri me municionin luftarak, një silenciator, një automjet dhe një aparat celular.

Policia thote se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Njoftimi i policise

Në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Transportuesi 4”.

Transportuan një armë zjarri, nga Kosova, me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, krëhri me municionin luftarak, një silenciator, një automjet dhe një aparat celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për dy shtetas që dyshohej se kishin transportuar një armë zjarri pistoletë, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi 4”.

Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

– R. F., 19 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë.

Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për tu shitur tek persona të tjerë.

Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re