Eurocontrol, i cili menaxhon hapësirën ajrore evropiane, tha se do të ketë një “ngarkesë të rëndë” trafiku në shumë rajone të rëndësishme gjatë verës.

Pasagjerët që synojnë të udhëtojnë me avion paralajmërohen për një verë “sfiduese”.

Paralajmërim u lëshua në fillim të sezonit veror, me pothuajse 33,000 fluturime ditore në të gjithë Evropën në tetë javët e ardhshme, që është pothuajse tetë për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, shkruan British Times.

Sipas raportimeve, trafik i rënduar pritet në Reims dhe Marsejë në Francë, Athinë, Londër, Barcelonë, Bruksel, Budapest, Nikosia, Varshavë dhe Zagreb në ditët e pikut, veçanërisht të premteve dhe gjatë fundjavave të verës.

Ai shtoi se “mbingarkesat” mund të çojnë në vonesa dhe aeroplanët të detyrohen të fluturojnë në rrugë më të gjata për të shmangur zonat kritike.

Mungesa e hapësirës ajrore

Drejtori i Përgjithshëm i Eurocontrol, Raul Medina, tha se lufta në Ukrainë, pra nevojat ushtarake, ndikuan në mungesën e hapësirës ajrore të lirë.

“Aeroportet duhet të kenë staf të mirë. Është jetike që shërbimet e trafikut ajror të sigurojnë kapacitet të mjaftueshëm dhe që linjat ajrore t’i përmbahen orareve të tyre”, tha Medina. Sipas tij, disponueshmëria e hapësirës ajrore është ulur për 20 për qind.

Shefi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror Willie Walsh tha muajin e kaluar se linjat ajrore kishin shqetësime serioze në lidhje me kontrollin e trafikut ajror dhe se ndërprerja në qershor ishte “shumë mbi atë që është normale për këtë periudhë të vitit”.

Grevat si një problem shtesë

“Ne kemi një situatë kaotike ku po shohim greva pothuajse të përditshme të kontrollit të trafikut ajror, gjë që po pengon trafikun jo vetëm në Francë, por në të gjithë Evropën, pasi detyron linjat ajrore të devijojnë drejt vendeve të tjera”, tha Walsh.

Shefat e aviacionit, duke përfshirë Michael O’Leary, shefin ekzekutiv të Ryanair, thanë se një seri grevash të kontrollorëve në Francë mbetet një nga kërcënimet më të mëdha për udhëtimet ajrore gjatë verës.

Grevat, tha ai, prekën fluturimet me distanca të shkurtra, kryesisht në Britaninë e Madhe dhe Spanjë, pasi zyrtarët në Francë mbrojnë nisjet e brendshme dhe fluturimet me distanca të gjata që “përmbysin” hapësirën ajrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re