Covid 19 i ka marrë jetën brenda një jave Adelita Cruz Trevino, 39 vjeç dhe Nicolas Trevino , 35 vjeç, të cilët ishin motër e vëlla, por edhe shokë të ngustë të njëri tjetrit.

Ata u testuan pozitiv për Covid në fillim të nëntorit të kaluar, pas një udhëtimi në Kaliforni për të marrë pjesë në funeralin e xhaxhait, tha vëllai i tyre Daniel Trevino per CNN. Adelita ndërroi jetë më 29 Nëntor në spitalin Ascension Borgess, ndërsa vëllai i saj vdiq një javë më vonë në spitalin Spectrum Health.

“Unë nuk e uroj këtë për askënd. Motra ime ishte 39 vjeç dhe vëllai im 35. Shumë të rinj. Ata kishin akoma për të jetuar, por fatkeqësisht  jeta e tyre u ndërpre nga virusi”,  tha Trevino.

Adelita kishte të gjitha simptomat e virusit, nga ethet deri te dhimbjet e kockave, sipas motrës tjetër Jesusa Vela. Ajo u shtrua në spital ditën që rezultoi pozitive dhe nuk u largua më.

Ndërsa vëllai Nicolas u karantinua në shtëpi, por u rikthye në spital një javë më vonë kur gjendja e tij u përkeqësua, tha Vela për CNN.

“Ata ishin gjithmonë në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe bënin shumë gjëra së bashku,” shtoi ajo.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re