Një ngjarje e dhimbshme. Humbën jetën 4 të rinj. Më i vogli ende 18 vjeçar e bashkë me ta edhe një shtetas shqiptar, 19 vjeçari i identifikuar nga media italiane si Xhuliano Kellici.
Të rinjtë u përplasën në një rrugë të Marca-s, rreth orës 02:10 të mëngjesit të kësaj të diele. Makina e të rinjve, një Volkswagen Polo, ka rrëshqitur në një kthesë dhe më pas ka goditur një pemë. Automjeti më tutje ka përfunduar në një kanal të vogël kullimi në zonë dhe është përmbysur. Përplasja ka qenë e fortë. Asnjë nga katër të rinjtë nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit.
Viktimat, siç raporton media italiane, ishin nga Treviso e një nga Friuli: Daniele De Re (më i riu, i datëlindjes 2004), banues në Cordignano; Xhuliano Kellici (2003 me origjinë shqiptare), nga Cordignano, Daniele Ortolan, nga Orsago (2003) dhe Marco Da Re (2003), nga Caneva, në provincën e Pordenones (mbushte 19 vjeç në nëntor).
Për të dhënë alarmin ishin banorët e zonës, të cilët janë zgjuar nga gjumi prej zhurmës së fortë të aksidentit. Telefonata u bë menjëherë, por për djemtë nuk kishte më asgjë për të bërë. Zjarrfikësit nxorrën trupat tashmë të pajetë. Mjeku ka konfirmuar në vendin e ngjarjes vdekjen e tre 18-vjeçarëve dhe të 19-vjeçarit. Operacionet e shpëtimit përfunduan në agim.
Media italiane raporton se ky nuk ishte aksidenti i parë i ndodhur në të njëjtën zonë. Në mars 2019 humbën jetën Tommy Saccon dhe Michele Zanette, të dy 18 vjeç dhe banues në San Fior. Në bordin e makinës, një Mercedes Class A, gjithashtu një i ri me origjinë marokene mbeti i lënduar.