Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja konfirmoi se ditën e sotme do të bëjnë kallëzim në SPAK sa i takon vrasjes së katër qytetarëve më 21 janar 2011. Ai tha se këto vrasje janë vrasje shtetërore dhe sipas tij SPAK duhet të rihapë hetimet dhe çdo përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit.

“Ato katër vrasje kurrsesi nuk mund të jenë vrasje nga pakujdesia. Nëse ka një fakt të ri që ka dalë në dritë, që ka pasur komunikim në radio nga grupi i zjarrit , dhe kjo sigurisht që mbetet një krim shtetëror dhe ngjarje e pahetuar. Ne presim që SPAK ta marrë këtë çështje, ta hetojë, në mënyrë të gjithanshme dhe kushdo që ka qenë përgjegjës, dhe pavarësisht pozitës që ka patur, të përgjigjet para drejtësisë. Sot do ta depozitoj kallëzimin në SPAK si ministër i Drejtësisë”, tha ai.

Gjatë komunikimit me gazetarët, ministri Manja u shpreh se “prova” që ka dalë në dritë nga audio-përgjimi, i takon tashmë drejtësisë së re ta verifikojë vërtetësinë e saj. Sipas tij, viktimat, por dhe shoqëria, pret që 21 janari të zbardhet i plotë.

“Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike ose jo, kjo i takon SPAK të japë përgjigje, për këtë provë dhe të tjera që do dalin në dritë më hetimin e kësaj çështje.  Tashmë SPAK ka sprovën e vet për të treguar se është në lartësinë e detyrës për të hetuar këdo, pavarësisht nga pozita që ka pasur apo ka sot në hierarkinë shtetërore. Sot do ta dorëzojmë kallëzimin në SPAK. Nuk mundet kurrsesi urdhërdhënësit e vrasjes të barazohen me protestuesit dhe qytetarët, që kanë protestuar dje, sot dhe do të protestojnë dhe nesër.  Sot do ta depozitoj kallëzimin në SPAK si ministër i Drejtësisë”, tha Manja në një konferencë për media.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re