Më shumë se 60 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u mbytën në brigjet e Libisë kur një varkë me dhjetëra emigrantë që po përpiqeshin të arrinin në Evropë u përmbys, njoftoi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin.

Mbytja e anijes të shtunën është tragjedia e fundit në atë pjesë të Detit Mesdhe, një rrugë kryesore e rrezikshme për emigrantët në kërkim të një jete më të mirë në Evropë, ku sipas zyrtarëve mijëra njerëz kanë humbur jetën.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) njoftoi të dielën herët se kishte 86 emigrantë në bord dhe 61 emigrantë u mbytën kur anija u përmbys në dallgë të larta pranë qytetit Zuwara në bregun perëndimor të Libisë. Organizata i referohet deklaratave të të mbijetuarve në atë që e quajti një “mbytje dramatike e anijes”.

“Rruga më e rrezikshme”

“Mesdheu Qendror është ende një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit në botë”, tha Organizata Botërore për Migracionin përmes rrjetit social X.

Vitet e fundit, Libia është bërë pika dominuese e tranzitit për migrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Vendi ra në kaos pas rebelimit të mbështetur nga NATO, në të cilin lideri shumëvjeçar Muammar Gaddafi u rrëzua dhe u vra në vitin 2011, kujton agjencia AP.

Libia është pikënisja kryesore për migrantët që përpiqen të arrijnë në brigjet evropiane përtej Mesdheut të rrezikshëm qendror. Më shumë se 2,250 njerëz kanë humbur jetën në rrugë këtë vit, sipas zëdhënësit të IOM-it, Flavio di Giacomo.

“Është një shifër dramatike që për fat të keq tregon se nuk po bëhet sa duhet për të shpëtuar jetë në det”, ka shkruar Di Giacomo në rrjetin X.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re