Një numër i madh indonezianësh u mblodhën para stadiumit të futbollit Kanjuruhan në qytetin indonezian Malang të hënën për të nderuar viktimat e një rrëmuje që vrau të paktën 125 njerëz fundjavën e kaluar.

Vajtuesit janë mbledhur para stadiumit ku kanë vendosur lule dhe janë lutur për viktimat e rrëmujës së ndodhur mbrëmjen e së shtunës.

Shumica e viktimave u vranë në një rrëmujë kur tifozët e ekipit vendas FC Arem dhe rivalët Persebay Surabaya u përleshën pasi skuadra vendase humbi 2:3. Tragjedia ka ndodhur në qytetin Malang, në provincën e Java-s Lindore.

Shefi i policisë së provincës rajonale, Nico Afinta tha se tifozët e Arema hynë në fushë dhe policia ndërhyri me gaz lotsjellës, duke shkaktuar një rrëmujë.

Ministri i Sportit Zainudin Amali tha se autoritetet do të rivlerësojnë sigurinë në ndeshjet e futbollit dhe do të konsiderojnë të mos lejojnë spektatorët të ndjekin ndeshjet pas incidentit.

Pamjet nga stadiumi të shpërndara në rrjetet sociale treguan tifozët, të veshur kuq dhe blu, duke u futur në fushë dhe duke u përplasur me forcat e sigurisë.

Shoqata e Futbollit të Indonezisë (PSSI) anuloi të gjitha ndeshjet javën e ardhshme për shkak të tragjedisë dhe ndaloi FC Arema të organizojë ndeshje deri në fund të sezonit.

Presidenti indonezian Joko Widodo ka urdhëruar një hetim të gjerë për incidentin. Ai gjithashtu urdhëroi Shoqatën e Futbollit Indonezian të pezullojë garat e futbollit derisa të përmirësohen procedurat e sigurisë në stadiume.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re