Prokuroria e Posaçme ka çuar në GJKKO kërkesën për rivlerësim të masave që ka caktuar Gjykata e Fierit pas shpërthimit me dy viktima në kapanonin e deputetit socialist Bujar Çela.

Gjykata e Fierit shpalli moskompetencën për dosjen hetimore mbi shpërthimin e ndodhur në magazinën e deputetit të PS në Lushnjë ku humbën jetën baba e bir, Roland dhe Elidon Hoxha.

Për pasojë, dosja hetimore i kaloi SPAK-ut si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj deputetit, Bujar Çela.

Pas administrimit të të dhënave, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 personave që u atribuohet vepra penale, mes tyre edhe Bujar Çela.

Ndaj deputetit socialist rëndojnë akuzat e vepres penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”.

 

I vetmi i arrestuar për tragjedinë është Lenonard Gjini, kompania e të cilit kishte marrë përsipër punimet.

Sipërmarrësi Leonard Gjini u la në burg nga Gjykata e Fierit për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

Ai nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontrate të rregullt me deputetin për  të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Megjithatë gjykata e Fierit e ka mbajtur ne burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit te punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë  ndërtimi. Ndërkohë avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.

Kujtojmë se shpërthimi ndodhi më 1 mars, teksa një vinç ku ndodheshin dy viktima Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime.

Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.

Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetit i Partisë Socialiste, Bujar Çela, i cili ishte pronar i kapanonit që po ndërtohej.

SHPALLJA E MOSKOMPETENCËS

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 03.03.2024 çështjen penale nr. 358, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, 248 dhe 161 të Kodit Penal.

Kjo çështje penale u regjistrua lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 01.03.2023, rreth orës 15:30’, në lagjen “Karbunarë e Poshtme”, Njësia Admnistrative Nr.5, Lushnjë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gjatë punimeve të ndërtimit në objektin “magazinë”, të shtetasit B.Ç, kanë gjetur vdekjen dy persona dhe plagosur shtatë persona të tjerë.

Nga ana e policisë gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të gatshëm, që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, kryerje  ekspertimit teknik ndërtimi, sekuestrimi dhe këqyrja a dokumenteve, marrja në pyetje e shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.

Pas administrimit të të dhënave të mësipërme dhe kryqëzimin e tyre, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 (shtatë) personave që u atribuohet vepra penale, si më poshtë:

– Shtetasit B.Ç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal.

– Shtetasit L.Gj, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 prg. 2 i Kodit Penal.

– Shtetasve R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve të çështjes penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit L.Gj, i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter ndalues dhe shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 e 233 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve më poshtë:

–           Shtetasit R.K, me detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

–           Shtetasve M.P, E.S., K.S, me detyrën e inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

–           Shtetasit I.U, me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë.

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e mësipërme të prokurorisë dhe aktualisht vendimi i gjykatës është ekzekutuar.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në nenet 28 pika 1, 75/a, gërma “c” e 84 të Kodit të Procedurës Penale, ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka dërguar aktet e çështjes penale Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj shtetasi B.Ç, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

DËSHMIA E LEONARD GJINIT

Leonard Gjini ka deklaruar se nuk kishte dërguar asnjë punonjës në kapanonin e deputetit Çela dhe se nuk e kishte idenë çfarë punimesh po kryheshin.

Sipërmarrësi ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me punonjësit që ndodheshin aty dhe po priste momentin kur objekti të ishte gati për fillimin e punimeve.

Ai ka dëshmuar se lidhi kontratën me deputetin socialist, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga shpërthimi, në datën 27 nëntor dhe është konfirmuar për fillimin e punimeve më 10 shkurt.

“Është pyetur shtetasi  shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur ne daten 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Cela ndërtim magazine e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023 Objekti kishte një vlerë prej 17963280 lek e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhje me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktë për të kryer punimë në këtë objekt.

Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin që do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

HETIMET E PROKURORISË

Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombulat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shakaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtate të tjerëvë dhe dëmtimin e objektit, banesavë dhe e bizneseve përreth.

Nisuar nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorise Prane Gjykates së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier  ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnje, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1 vjecar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03,2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit bashkia Lushnje ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje.

Për sa më sipër nga tërësia e materialeve hetimore të deritanishme rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a  i Kodit penal.

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re