Një ditë pasi deklaroi se kishin gjetur 44 viktima dhe 4 ditë larg tragjedisë, autoritetet bullgare kanë dalë sërish në komunikim për median, për të konfirmuar se kanë gjetur një tjetër viktimë në autobus.

Kryeprokurori Lubomir Joveski konfirmoi faktin, duke thënë se udhëtari është i moshës së re.

“Autobusi nga vendi i fatkeqësisë është dërguar në një vend tjetër ku është dhënë urdhër për ekspertiza të detajuara teknike për të zbuluar shkakun e shpërthimit të zjarrit dhe gjatë kësaj ekspertize është gjetur edhe një trup i pajetë. Unë e siguroj opinionin se nuk duhet të këtë asnjë dyshim lidhur me këtë çështje”, tha Lubomir Jovevski, Kryeprokuror.

Sot për herë të parë nga spitali në Sofje, ka folur Orhan Aliti, 45 vjeçari i cili arriti t’i shpëtojë tragjedisë, por humbi të birin 23 vjeçar, Visarin.

Në një prononcim për Alsat, me zërin e dridhur, ai tregoi se i mbajti gjallë shpresat për të birin… se telefoni i tij cingërinte, porse shpresat iu shuan më vonë.

“Për Visarin, unë… shumë i kam dhënë vetes shpresë, telefoni cingëronte, por… pardje më erdhën familjarët, më thanë, mi humbën shpresat.

Unë i jepja shpresë vetes se telefoni i tij binte, por familjarët më thanë…”-tregoi 45 vjeçari.

Trupat e 45 të ndjerëve do të mbërrijnë në Shkup të martën, më 30 nëntor. Deri më atëherë pritet dhe përfundimi i procedurave për identifikimin përmes analizës së ADN-së.

Autobusi ku ndodhi dhe tragjedia rezultoi se nuk ishte i pajisur me licencë në dy vitet e fundit, kohë në të cilën ka dalë mëse 130 herë nga Maqedonia e Veriut për transportin e njerëzve. Ministria e Transportit, shpjegoi se autobusi e ka kaluar kufirin me një licencë të një autobusi tjetër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re