Janë zbardhur detaje të rrëfimit të babait të Jonadës, 7 vjeçares që humbi jetën në plazhin e Potamit pak ditë më parë.

Gazetasi ka mësuar të dhëna mbi rrëfimin e babait të 7 vjeçares, i cili ka shpjeguar për hetuesit se çfarë ndodhi pak para momentit tragjik.

“Rreth orës 14:00, ndërsa isha duke u larë së bashku me vajzën në afërsi të bregut, pashë një skaf me ngjyrë të bardhë, me dy persona në bord. Skafi parkoi  në bregun e plazhit pranë një hoteli dhe pashë që prej andej zbriti një vajzë”.

 “Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi skëterrë dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe mjeti lundrues goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e prerë në të gjithë trupin. Pashë që mjeti u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin dhe duke ardhur në breg”, – tregon Bledar Avdia, babai i të ndjerës.

Veç dëshmisë së familjes Avdia, hetuesit kanë siguruar të tjera rrëfime nga dëshmitarët okularë. Gazetasi ka mundur të sigurojë edhe dëshminë e kushëririt të Jonadës.

 “Po laheshim në det dhe një mjet lundrues i madh u afrua. Në kohën që mjeti mori njerëz në breg, goditi fëmijën me helika. Unë dhe të gjithë njerëzit që ishin në  breg bërtisnim: ‘Ndalo se e vrave’. Por mjeti lundrues vazhdoi të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Hyra dhe e nxora Jonadën e pajetë. Ishte pa asnjë shenjë jete”.

Kujtojmë se këtë të premte gjykata vendosi masën e arrestit me burg pa afat për ish oficerin Arjan Tase. Ky i fundit do të gjykohet për akuzën e vrasjes me dashje, e parashikuar sipas kodit penal me burgim nga 10 deri në 20 vite.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re