Kryetari i Shoqatës Vatra në Turqi, Bora Zukali, tregon detaje lidhur me tragjedinë që ndodhi dje në resortin e skive në Bolu, ku për shkak të një zjarri humbën jetën 79 pushues, ndërsa mbetën të lënduar dhjetëra të tjerë.

Përmes një lidhjeje direkte për emisionin “Open” në News 24, kreu i “Vatrës” në Turqi, tha se shumica e viktimave janë fëmijë dhe studentë, ndërsa tha se sot u varrosën 14 pjesëtarë të një familjeje.

Ai tha se në varrim mori pjesë edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Kreu i shoqatës tha se alarmet për tymin nuk funksiononin në resort dhe se për këtë po kryhen hetime nga organet kompetente.

“Zjarri përfshiu hotelin komplet dhe personat në hotel janë bllokuar. Në pushime dimërore ishin studentë bashkë me familje. 14 persona u varrosën nga një familje sot. Në varrim ka marrë pjesë edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Po punohet për të zbardhur shkakun e zjarrit. Institucionet ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Alarmet për tymin nuk funksiononin. Turistët kanë paguar 90 deri 800 euro për një natë në hotel, tarifa ka qenë e shtrenjtë. Zjarri mund të ketë rënë në restorant. Disa njerëz thuhet se ishin në gjumë dhe janë mbytur nga tymi. Për tragjedinë janë arrestuar 9 persona. Shumica e viktimave ishin studentë e fëmijë”, tha Zukali.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re