Hetuesit në Teksas do të përpiqen të përcaktojnë se çfarë gabimesh kritike janë bërë në përgjigje të të shtënave vdekjeprurëse në një shkollë në Uvalde, duke përfshirë pyetjen se pse gati 20 oficerë policie mbetën para klasës ndërsa fëmijët thërrisnin për ndihmë, raporton Reuters.

Në qendër të hetimit të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit është gjithashtu pyetja se pse oficerët pritën në korridor për gati një orë përpara se të hynin dhe të vrisnin sulmuesin.

Me më shumë thirrje për një hetim të pavarur dhe kritika në rritje ndaj reagimit të policisë, policia e Houston-it dhe Dallas-it mbërriti në Uvalde për të ndihmuar forcat lokale.

Ndërkohë hetuesit janë ende në kërkim të motivit të sulmit. Salvador Ramos, një gjimnazist 18-vjeçar, i cili e la shkollën e mesme, nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte histori të një sëmundjeje mendore.

Thirrjet e urgjencës

Të paktën dy fëmijë kanë thirrur për ndihmë disa klasave fqinje pasi Ramos hyri në shkollë të martën me një pushkë gjysmë automatike AR-15, tha në fillim të kësaj jave drejtori i Sigurisë Publike të Teksasit, Steven McCraw.

“Është në dhomën 112”, ka thënë vajza, e cila ka thirrur për ndihmë në orën 12:03. E njëjta vajzë i ka kërkuar operatorit të ambulancës që në orën 12:43 dhe katër minuta më vonë “të dërgojë policinë menjëherë”.

Në orën 12:51, pothuajse 45 minuta pas thirrjes së saj, skuadra taktike hyri me forcë dhe çau rrethimin e shkollës fillore Robb.

Gjithsej të paktën tetë thirrje të ambulancës u bënë nga shkolla ndërsa policia priste jashtë. Dy fëmijë që thirrën për ndihmë mbijetuan.

McCraw theksoi se komandanti në vend, shefi i policisë së qarkut të shkollës, kishte diagnostikuar gabimisht se Ramos ishte barrikaduar në shkollë dhe se fëmijët nuk ishin më në rrezik, duke lejuar kështu policinë të përgatitej për sulmin.

“Ishte vendim dhe pikë e gabuar,” vuri në dukje McCraw, duke pranuar se protokollet standarde kërkojnë që policia të përballet menjëherë me një sulmues aktiv të shkollës, në vend që të presë ndihmë.

“Mungesa e udhëzimeve të qarta”

Agjentët taktikë të patrullës kufitare në vendngjarje ishin të frustruar nga mungesa e udhëzimeve të qarta nga komandantët, duke besuar se kjo vonoi përpjekjet për të ndaluar sulmin, tha një burim policor.

Burimi bën me dije se kur agjentët taktikë kanë hyrë në klasën e shkollës pas mburojës balistike, sulmuesi ka dalë nga dollapi dhe ka qëlluar drejt tyre.

“E urrej të besoj se disa nga këta fëmijë mund të ishin shpëtuar nëse policia do t’i kishte ndihmuar menjëherë pasi u qëlluan, jo një orë më vonë pasi u gjakosën”, tha një burim tjetër policor.

Raportet zyrtare të reagimit të policisë nuk japin përgjigje të qarta. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, një ditë pas vrasjes, vlerësoi guximin e policisë dhe të premten tha se ishte “i zemëruar” sepse hetuesit e kishin mashtruar në lidhje me informacionin.

Demokrati i Teksasit Joaquin Castro bëri thirrje për një hetim të pavarur të FBI-së dhe vizitoi shkollën të premten, duke i thënë Reuters se ishte thellësisht i shqetësuar për informacionet kontradiktore që dolën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re