Pak ditë më parë autoritetet njoftuan për vdekjen e një 13 vjeçari, i cili u dërgua pa shenja jete në spitalin e Lushnjes nga ana e prindërve të tij.

I riu ishte vetëflijuar dhe siç rezulton deri më tani nga hetimet, shkak janë bërë video- sfidat nëpër rrjetet sociale si Tik Tok.

Ky mbetet dhe dyshimi kryesor se si 13 vjeçari ka humbur jetën, duke tentuar të realizojë video. Jashtë kameras së medias, këtë dyshim pohojnë dhe familjarët e të miturit të ndjerë. Këta të fundit tregojnë se këto javë 13 vjeçari qëndronte shumë gjatë para telefonit dhe kishte ndryshuar sjelljen. Por prindërit kurrë nuk e kishin menduar se një tragjedi e tillë mund të ndodhte.

Ata po punonin në një tjetër fshat dhe kur janë kthyer në shtëpi janë përballur me ngjarjen. Prokuroria nga ana e saj ka nisur kontrollin e celularit të të miturit, në përpjekje për të gjetur, nëse i mituri ka realizuar videon para tragjedisë.

Ndërkohë në zyrën e shërbimit për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkinë e Lushnjes, thonë se nuk është hera e parë që përballen me pasojat negative që sjellin rrjetet sociale. Përpos kësaj, rasti i 13 vjeçarit nga fshati Golem i Lushnjes, është më i rëndi i regjistruar ndonjëherë.

“Kemi trajtuar shumë raste të cilat kanë ardhur si pasojë e abuzimit online, jo të këtij lloji, por abuzime që janë bërë nëpërmjet internetit me minorene dhe është mbështetur familja e vetë fëmija me shërbim psikologjik.

I gjithë stafi i shërbimit social do të asistojë familjarët, madje është edhe një fëmijë tjetër që ka nevojë për mbështetjen tonë”.-tregoi specialistja e njësisë për mbrojtjen e fëmijëve.

Përdorimi i rrjeteve sociale dhe veçanërisht kryerja e videove- sfidave në Tik Tok, është kthyer në një problem serioz në shumë shtete të botës.

Fatkeqësisht shumë të mitur e të rritur kanë ndërruar jetë duke u munduar të kryejnë këto ‘sfida’ (të cilat variojnë nga ato ku mund të marrësh lëndime deri tek më ekstremet, ku të rrezikohet jeta).

Po ashtu problem serioz është dhe “nevoja” e shumë njerëzve për të përcjellë në rrjetet sociale foto të shkrepura në vende të rrezikshme apo në momente jo të përshtatshme. Të tilla raste, ku njerëzit ngjiten në majën e ndërtesave të larta përshembull për të shkrepur një foto, kanë sjellë vdekjen e dhjetëra personave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re