Një denoncim alarmant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetare ka shpërndarë përvojën e saj të rëndë në Urgjencën e QSUT, duke zbuluar një ngjarje shokuese dhe të papranueshme për shërbimin shëndetësor në vendin tonë.
Ajo ka mbërritur në spital që në orën 13:00, duke kërkuar një ndërhyrje urgjente për apandesitin, por ka kaluar më shumë se 9 orë pa marrë asnjë ndihmë mjekësore.
Qytetarja, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka ndarë shqetësimin e saj me JOQ Albania, duke treguar se ndihma i është mohuar për një periudhë të gjatë, pavarësisht dhimbjeve të forta. “Asnjë nuk të shërben, të lënë të vuash! Kafshëri! I thashë se vij vetë te skaneri, më thanë se ka procedura dhe duhet të pres barelën. Kam gjithë ditën këtu me dhimbje!” – shprehet qytetarja e revoltuar.
Kjo ngjarje ka ngritur pyetje të shumta lidhur me menaxhimin e urgjencës në QSUT dhe përgjegjshmërinë e institucioneve shëndetësore. Si është e mundur që një rast urgjent të lihet në mëshirë të fatit për orë të tëra? A është kjo një pasojë e neglizhencës apo thjesht mungesës së burimeve dhe stafit të mjaftueshëm për të trajtuar pacientët në kohë?
Një situatë e tillë është jo vetëm e papranueshme, por është edhe një kujtesë e dhimbshme për nevojën urgjente për reforma në shërbimin shëndetësor, për të siguruar që pacientët të marrin kujdesin e duhur në momentin që e kanë më shumë nevojë.
