Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, duke komentuar zgjedhjet në SHBA, ka thënë se trampizmi po bëhet një frymë politike ne Amerikë.
I ftuar në emisionin Open, në News 24, Dule tha se Trump ka shumë avantazhe dhe disavantazhe për të qenë president, ndërsa theksoi se nëse zgjidhet, do të afrojë Rusinë me SHBA duke e distancuar atë kështu nga Kina
“Sot Trump ka nën kontroll të plotë Partinë Republikane. Trampizmi po bëhet një frymë politike. Zoti Trump vjen me një disavantazh, atë që ndodhi në Kapitol. Por Trump vjen dhe me avantazhe, është niveli ekonomik i amerikanëve gjatë presidencës së tij. Ne shikojmë politikën globale, por amerikanët shikojnë taksat, çështjet ekonomike. Donald Trump tha se lufta në Ukrainë do të mbarojë nëse bëhet president, por nuk na e tha sesi do ta bëjë këtë gjë.
Trump ka bërë ‘luftë’ edhe ndaj emigracionit. Emigracioni është kthyer në një gangrenë për Amerikën. Trump ka disavantazh për abortin. Donald Trump mbështet fort linjën konservatore, por nga kjo çështje ka distancim edhe nga zonjat në Partinë Republikane. Trump sheh Kinën si rrezik kombëtar për Amerikën. Donald Trump do synojë që të afrojë Rusinë, që të largojë Moskën nga Kina”, tha Dula.