Nxënesit e klasave të10-a që kanë nisur tashmë mësimin në gjimnazet e përgjithshme, kanë një mundësi për t’u regjistruar në shkollat profesionale.

 

Transferimet do të mund të kryhen duke nisur nga sot e deri në fund të muajit dhjetor ndërsa sipas ministres së Arsimit, procesi do të jetë i thjeshtë e nuk do të hasë në burokraci.

 

OGERTA MANASTIRLIU

MINISTRE E ARSIMIT DHE SPORTIT

“Jemi të angazhuar për të orientuar fokusin dhe për të nxitur të rinjtë drejt një zanati, drejt një profesioni të sigurt, ndaj, kemi vendosur që të lëmë një periudhë, e cila është deri në fund të dhjetorit të çdo viti shkollor, ku nxënës të cilët kanë filluar vitin e parë të gjimnazit, pra klasën e 10-të,  të  cilët shohin që e kanë të vështirë ose nuk e gjejnë shumë veten tek lëndët e gjimnazit, tek ato të përgjithshmet, duan të shohin më mirë një drejtim profesional, të mundet ta bëjnë atë, duke u regjistruar direkt në shkollat profesionale të rrethit ose dhe në shkolla profesionale, ku ata vlerësojnë që dega apo profesioni që do të marrin të nesërmen është edhe e një cilësie të lartë si shkollë, duke u orientuar drejt arsimit profesional nga mësuesit në shkollë”.

 

Ministrja Ogerta Manastirliu gjithashtu theksoi se kurrikula e këshillimit të karrierës në shkolla do të zgjerohet, duke nisur nga klasa e gjashtë, me qëllimin që prirjet e nxënësve të identifikohen në një fazë më të herëshme.

 

“Instrumentat që ne kemi krijuar për bërthamën e këshillimit të karrierës për këtë mekanizëm të ri, i cili tashmë është në zbatim e sipër, do të na ndihmojë ne që çdo vit, të kuptojmë ku janë prirjet e nxënësve tanë, cili ka prirje për shërbime, për marangoz, hidraulik, per t’u marrë me bujqësi. Bërthama e këshillimit të karrierës tashmë vjen si një kurrikul e plotë nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë”.

 

Edhe në arsimin profesional, prirja e regjistrimeve reflekton rënie të ndjeshme nëse i referohemi shifrave të INSTAT për tre vitet e fundit mësimore. 19.024 nxënës u regjistruan në shkollat profesionale të vendit në vitin 2020, një vit më vonë, figurojnë rreth një mijë më pak, po aq edhe për vitin 2022-2023 ku u regjistruan 16.813 nxënës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re