Kapja e shtetit në Shqipëri dhe rajon po “pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre me koston e rëndë të qytetarëve të zakonshëm”, thuhet në raportin e Transparency International për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Raporti vuri në dukje se reformat nuk adresojnë sa duhet ekzistencën e kapjes së shtetit, si dhe bazat apo motivimet e tij. Kjo po çon në një erozion të besimit të publikut ndaj institucioneve qeveritare,e pasi ato gjithnjë e më shumë po përdoren për t’i shërbyer interesave private.

TI shprehet qartë se pavarësisht vendosjes si kusht kryesor për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian së shtetit të së drejtës, ajo mbetet një “sfidë kryesore” në vendet aspirante, përfshirë dhe Shqipërinë. Një nga sfidat që pengon zbatimin e duhur të sundimit të ligjit është fisnorizmi dhe “anëtarësia në klan” që ndikon në politikën shqiptare. Kjo gjithashtu rezulton në miqësi dhe nepotizëm që hap rrugën e punësimit për në administratën publike.

Raporti jep një shembull të klientelizmit politik në rastin e ish-Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i cili ishte përgjegjës për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Durrës gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Aty thuhet se ai bashkëpunoi me bandën kriminale Avdulaj në trajtimin e blerjes së votës brenda institucioneve lokale. Këto aktivitete formuan një pjesë të skandalit zgjedhor  që përfshiu zyrtarë të lartë të PS-së si Damian Gjukniri dhe madje Kryeministrin Edi Rama. Deri më tani, asnjë zyrtar i lartë nuk është arrestuar, aq më pak është ndjekur penalisht.

Ti përmendi gjithashtu rastin e ish-Ministrit të Brendshëm Samir Tahiri, i cili së bashku me Drejtorin e stacionit të policisë në Vlorë u akuzuan për bashkëpunim me një bandë të trafikut të drogës. Është pohuar se Tahiri i dha informacion bandës dhe “hoqi pengesat për trafikimin e narkotikëve” gjatë kohës që ishte në detyrë (2013-2017). Dëshmitë përfshinin komunikime që i referoheshin dhuratave të vlefshme dhe një ulje prej 30% të fitimeve për Tahirin dhe familjen e tij, në këmbim të mbrojtjes nga ligji.

Përkundër kësaj, Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për trafik droge dhe të qënit pjesë e një grupi kriminal, por e shpalli fajtor vetëm për “abuzim të detyrës”.

Një çështje tjetër e madhe e ngritur në raportin e TI është çështja e ligjeve të personalizuara që krijohen për të favorizuar kompani private dhe individë të caktuar me firmën e shtetit. Shqipëria është e para në rajon për sa i përket këtyre ligjeve, thuhet në raport.

“Ligjet e bëra me porosi vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike më mënyrë të ligjshme. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen, por pasi të legalizohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes, pasi përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit. ”

Një shembull i dhënë ishte ai i ligjit të lojërave të fatit të vitit 2015, pas të cilit duket se përfitojnë pesë kompani të lojërave të fatit që zotërojnë 80% të pjesës së tregut. TI shkruan se është e mundur që ligji jo vetëm që rriti fitimet e tyre por “mund të ketë lehtësuar pastrimin e parave”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re