
Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se transportoi me varkë drejt Tropojës drogë, eksploziv dhe municion luftarak, me qëllim trafikimi drejt Kosovës.
I riu nga Puka u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Varkëtari”, ndërsa policia thotë se sekuestroi 1.2 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 m fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një sasi lekësh.
“Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Dushaj, duke lëvizur me automjetin tip “Volksëagen”, në të cilin kishte fshehur në brendësi të bagazhit lëndën narkotike, eksplozivin dhe municionin luftarak, të cilat dyshohet se i kishte transportuar me varkë nëpërmjet liqenit, nga fshati Apripë, Pukë, deri në Tropojë, ku kishte parkuar automjetin me qëllim shmangien e kontrollit të Policisë”, thotë policia.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personit që do t’i blinte në Kosovë.
