Një trashëgimtare austro-gjermane po krijon një grup qytetarësh për të vendosur se si duhet të japë nga pasuria që trashëgoi nga gjyshja e saj.

Marlene Engelhorn, e cila është 31 vjeç dhe jeton në Vjenë, dëshiron që 50 austriakë të përcaktojnë se si duhet të rishpërndahen 25 milionë euro (21.5 milionë £) e trashëgimisë së saj, shkruan BBC. 

“Kam trashëguar një pasuri, pra edhe pushtet, pa bërë asgjë për të”, tha ajo.

“Dhe shteti nuk dëshiron as taksa mbi të”.

Austria hoqi tatimin mbi trashëgiminë në vitin 2008.

Engelhorn beson se kjo është e padrejtë.

Ajo është pasardhëse e Friedrich Engelhorn, themeluesit të kompanisë gjermane kimike dhe farmaceutike, BASF, dhe trashëgoi miliona kur gjyshja e saj vdiq në shtator 2022.

Pasuria e Traudl Engelhorn-Vechiatto u vlerësua nga revista amerikane Forbes në 4.2 miliardë dollarë, dhe madje para se të vdiste, mbesa e saj kishte deklaruar se donte të shpërndante rreth 90% të trashëgimisë së saj.

Ata që dëshirojnë të marrin pjesë në nismën e Engelhorn, mund të regjistrohen në internet ose me telefon.

Nga numri fillestar prej 10,000 austriakësh të cilët janë të gjithë të moshës mbi 16 vjeç, do të zgjidhen 50 persona.

“Nëse politikanët nuk bëjnë punën e tyre dhe rishpërndajnë, atëherë unë duhet ta rishpërndaj vetë pasurinë time”, shpjegoi ajo në deklaratën e saj.

“Shumë njerëz luftojnë për të përballuar jetesën me një punë me orar të plotë, dhe paguajnë taksa për çdo euro që fitojnë nga puna, këtë e shoh si dështim të politikës dhe nëse politika dështon, qytetarët duhet të merren vetë me të. ”

Christoph Hofinger, Drejtor Menaxhues i Institutit Foresight, i cili po mbështet nismën, tha se këshilli për të rishpërndarë paratë e trashëgimtares do të përbëhet nga 50 persona “nga të gjitha grupmoshat, shtetet federale, klasat shoqërore dhe prejardhja”.

Grupit do t’i kërkohet të “kontribuojë me idetë e tyre në mënyrë që së bashku të gjejnë një zgjidhje në interes të shoqërisë në tërësi”, tha ai.

Ata do të marrin pjesë në një sërë takimesh që do të mbahen në Salzburg me akademikë dhe organizata të shoqërisë civile nga marsi deri në qershor të këtij viti./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re