Pas shpalljes së 52 personave “non grata”, shtetas grekë që nuk do mund të hyjnë në territorin shqiptar, mu prej asaj çfarë ndodhi në Bularat në varrimin e Kacifasit, ka reaguar Ministria e Jashtmë në Athinë, e cila drejtohet tashmë nga vetë kryeministri Tcipras.

“Në këtë moment delikat presin që Shqipëria të distancohet nga deklaratat dhe veprimet që rëndojnë klimën e marrëdhënieve tona. Ne kërkojmë sqarime thelbësore për vendimin nga ana e autoriteteve shqiptare për të shpallur, në mënyrë masive, të padëshirueshëm 52 shtetas grekë. Mbetemi të përqendruar në ndërtimin e marrëdhënieve besimplota, por kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga fqinjët tanë”, thuhet në një deklaratë.

Ndërkohë, ka qenë një përgjigje e ministrit Bushati, i cili ka gjetur mënyrën për të sqaruar autoritetet greke se pse Tirana u imponua që të shpallë “non grata” 52 shtetas grekë.

“…nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne”, tha Bushati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re