Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ajo ç’po ndodhte në SHBA (me sulmin e dhunshëm në Kapitol), i cili shpesh quhet “djepi i demokracisë”, tronditi të gjithë njerëzimin.

Erdogan komentoi trazirat në Uashington, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po përballen me një situatë që është e pashembullt në historinë e saj.

“Ky proces, i cili po zhvillohet në Amerikë, shpesh i referuar si ’djepi i demokracisë’, ka tronditur tërë njerëzimin. Ne gjithashtu jemi të befasuar,” tha Erdogan.

Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara, si dhe media amerikane, kishin një qëndrim krejtësisht të ndryshëm gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi dhe protestave në Parkun Gezi.

“Mos harroni se çfarë deklaratash dhe kërcënimesh u janë bërë politikanëve turq nga media amerikane. Pozicioni ynë për këtë ishte i qartë, megjithatë, pozicioni i Amerikës ishte krejt i ndryshëm. Atëherë ishin demokratët në pushtet Por ne kemi parë që demokratët janë të njëjtë me republikanët. Ne kemi parë se çfarë turpi përfaqësojnë ata për demokracinë,” tha Erdogan.

Presidenti turk ka shprehur dëshirën që transferimi i pushtetit nga Donald Trump tek Joe Biden të jetë paqësor dhe i rregullt, siç tha vetë Trump në një deklaratë.

Erdogan tha se Amerika do të arrinte paqen me Biden dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të hyjnë në një epokë të veçantë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re