Bashkimi Europian ka nisur një projekt me të cilin synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në njësitë e pushtetit vendor.

Tre bashki të vendit, Devolli, Ura Vajgurore dhe Libohova, do të përfitojnë asistence për qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien, në bazë nisme të mbeshtetur nga Bashkimi Europian.

Rrjeti i Organizatave Vendore, i cili përkrah qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien në këto bashki, ka përcaktuar hapat dhe mënyrën e veprimit për realizimin e projektit.

Ai synon realizimin e një kurrikule trajnimi për qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien për organizatat komunitare; aftësimin e 15 organizatave vendore për trajnim mbi qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien; realizimin e një Memorandumi Bashkëpunimi për krijimin e një forumi ndërmjet 15 organizatave vendore nga 3 bashkitë e angazhuara; ndërtimin e një kurrikule trajnimi për anëtarët e këshillave bashkiakë mbi rolin e përgjegjësitë e tyre; dhënien e një trajnimi për anëtarët e këshillave bashkiakë, si dhe organizimin e ekspozitave për demokracinë dhe qeverisjen e mirë me 150 të rinj.

Qendra ACEG dhe partnerët e saj “The Youth of Ura Vajgurore” e “Lex Ferenda”, zhvilluan takimin e parë koordinues të projektit që përkrah qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien në bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë.

Një rëndësi e veçantë iu dha organizimit dhe koordinimit të takimeve prezantuese të projektit në të tre bashkitë e përfshira.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re