“Nuk kam informacione për trupa shtesë, për momentin janë 14 trupa dhe mendoj se aq do të mbeten”

Kështu deklaroi kreu i Institutit për Mejkësi Ligjore në Shkup, Aleksandar Stankov. Në një deklaratë për Sitel, Stankov u shpreh se autopsia për 14 viktimat e konfirmuara nga zjarri i djeshëm në spitalin modular, do të përfundojë këtë të enjte.

“Pas orës 1 të mesnatës  kanë arritur 14 trupa. Autopsia ka nisur qysh në mbrëmje. Janë formuar ekipe që do të punojnë në autopsi dhe në identifikim të trupave. Presim që sot të përfundojnë autopsitë, ndërsa për identifikim do të shohim ta realizojmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i dorëzojmë viktimat tek të afërmit”, tha Stankov.

Shefi i mjekësisë ligjore theksoi se pas autopsisë mund të ketë nevojë dhe për realizimin e analizave të ADN-së, pasi identifikimi i viktimave është tejet i vështirë (për shkak se janë karbonizuar)

“Do të shohim nëse do të ketë nevojë për analizë të ADN-së për të gjitha trupat, pasi të përfundojë të gjitha 14 autopsitë. Të shohim se çfarë mund të përdoret nga metodat klasike për identifikim dhe çfarë për ADN”, theksoi Stankov.

Sipas medias lokale, thuhet se te paktën 6 prej viktimave nuk mund të identifikohen e do të duhet testi i ADN-së.

Çfarë thotë prokuroria

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut dha këtë të enjte detaje në lidhje me ngjarjen tragjike. Konfirmoi numrin e 14 viktimave dhe sqaroi se mes të vdekurve nuk ka staf mjekësor.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë.

Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve.

Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.”

Si është gjendja e atyre që i shpëtuan flakëve në spital

Të paktën 12 pacientë mundën t’i shpëtojnë flakëve në spitalin modular të Tetovës. Kështu është shprehur mjeki Ilber Besimi nga spitali i qytetit. “Sloboden Pecat” mësoi se të mbijetuarit u shtruan në spitalin e Tetovës.

Nexhmedin Abazi ishte një ndër mjekët që priti të lënduarit në spital. Ai tha për median se në fillim gjendja e disa pacientëve ka qenë e rëndë, por me ndërhyrjen në kohë, gjendja e tyre është e qëndrueshme për momentin.

“Të gjitha ekipet kanë reaguar menjëherë, si ata që ishin në kujdestari, mjekët e ndihmës së shpejtë si dhe mjekë tjerë që sapo e kanë marrë lajmin për zjarrin kanë ardh te spitali”, deklaroi mjeku.

26 pacientë ndodheshin në spitalin modular

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në total kanë qenë 26 pacientë kur kanë shpërthyer flakët mbrëmjen e djeshme. Autoritetet konfirmuan numrin e 14 viktimave, ndërsa 12 të mbijetuarit sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë jashtë rrezikut për jetën.

“Ministria e Shëndetësisë njofton se në tragjedinë e mbrëmshme në Kovid-qendrën në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona. Në Kovid-qendrën në momentin e shpërthimit të zjarrit ka pasur 26 pacientë, 12 të mbijetuarit janë për kurim në spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk ka punonjës shëndetësor që kanë humbur jetën ose janë lënduar në këtë tragjedi, disa janë me lëndime të lehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Qëllimi ynë ishte të nxirrnim sa më shumë pacientë nga ai zjarr”

Uka Aliti, është një nga zjarrfikësit e Tetovës, i cili u shpreh për median se kanë mbërritur brenda pak minutash nga shpërthimi i flakëve në spitalin modular.

“Qëllimi jonë ishte që të arrijmë të nxjerrim sa më shumë pacientë nga ai zjarr. Secili zjarrfikës që gjendeshe në detyre dhe që kryente detyrën e tij, mundoheshim që sa më shumë pacientë të nxjerrim nga aty. Mjekët e Klinikës ë Spitalit të tetove bashkërisht me ne i hyn një misioni të rrezikshëm për shpëtimin e pacientëve të cilët gjendeshin ë Kovid qendrën në tetove. Dua të theksoj se edhe shumë qytetarë kanë ardhë dhe na janë ofruar në ndihmë, duke rrezikuar veten për të shpëtuar jetë njerëzish. Është e vërtet se për 4-5 minuta pas shpërthimit të zjarrit kemi arritur të dëgjojmë vetëm një detonim, dhe atë nga rryma, thuhet që ka pasur edhe një detonim tjetër nga një bombol e oksigjenit, por duke ditur se oksigjeni nuk shpërthen por është vetëm si shoqërues për përhapjen e zjarrit”, tha Uka Aliti, zjarrfikës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re