Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden është kundër dënimit me vdekje dhe do të punojë për t’i dhënë fund, tha zëdhënësi i tij, ndërsa Ministria e Drejtësisë planifikoi tre ekzekutime të tjera federale para inaugurimit më 20 janar.

Byroja e burgut kreu ekzekutimin e tetë federal këtë vit, pas një ndërprerje 17-vjeçare, dhe ka të ngjarë të rrisë presionin mbi Biden për të vendosur nëse administrata e tij do të vazhdojë të caktojë ekzekutimet pas betimit, shkruan AP.

Ithtarët e heqjes së dënimit me vdekje i kanë bërë thirrje administratës Trump të ndërpresë të gjitha ekzekutimet derisa Biden të marrë detyrën.

“Biden kundërshton dënimin me vdekje tani dhe në të ardhmen,” tha sekretari i shtypit TJ Ducklo, por ai nuk deklaroi nëse ekzekutimet do të ndaleshin menjëherë pasi Biden të merrte detyrën.

Këtë vit, Ministria e Drejtësisë miratoi ekzekutimin e më shumë njerëzve sesa gjatë gjysmës shekullit të kaluar, pavarësisht nga fakti se dënimi me vdekje po humbet mbështetjen publike të demokratëve dhe republikanëve, sipas AP.

Ministria njoftoi ekzekutimin e dënimit më të rëndë për Alfred Bourgeois më 11 dhjetor dhe Cory Johnson dhe Dustin Higgs më 14 dhe 15 janar.

Dy ekzekutime të tjera janë planifikuar për këtë vit, përfshirë gruan e parë që do të ekzekutohet në rreth gjashtë dekada, por një gjykatës federal vendosi të enjten se ekzekutimi nuk mund të ndodhte para fundit të vitit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re