Të paktën 27 emigrantë ndërruan jetë mbrëmjen e djeshme, gjatë një orvatje për të kaluar kanalin anglez nga Franca drejt Britanisë.

Një ndër ngjarjet më tragjike të ndodhur në ngushticën mes dy prej shteteve më të fuqishme të Evropës, ka sjellë dëshpërim e përplasje mes Francës e Anglisë.

Por aspekti më i kobshëm i tragjedisë, mbeten viktimat. Në mesin e tyre, 7 gra, njëra prej të cilave shtatzënë, 3 fëmijë dhe 17 burra.

Numrin e viktimave e konfirmoi Ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin.

Një varkë peshkimi ngriti alarmin mbrëmjen e djeshme, pasi ekuipazhi kishte parë një sërë njerëzish në ujë, në afërsi të brigjeve veriore të Francës.

2 vetë arritën të shpëtoheshin dhe sipas informatave të deritanishme ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të hipotermisë. Ministri i Brendshëm francez i tha radios së RTL-së se një është me origjinë nga Iraku, ndërsa tjetri nga Somalia.

Media franceze raporton se shumica e viktimave janë nga Iraku apo nga Kurdët e Iranit.

Çfarë ndodhi me gomonen?

Shkaku i aksidentit ende mbetet i panjohur, por gomonia me emigrantë kur u gjet nga ekipet e shpëtimit, ishte thuajse e shfryrë plotësisht. Ministri i Brendshëm i Francës e përshkroi si një gomone ekstremisht të brishtë.

“Ishte si një nga ato gomone që i fryn për t’i vendosur në oborr”.

Media britanike postoi foto të saj, siç tregohet më poshtë, madje duke ngritur pyetje retorike sesi mund të lejohej (nga autoritetet franceze) ikja e emigrantëve në të tilla kushte.

Autoritetet franceze shpjeguan se gomonia është nisur diku pranë Dunkirk-ut, në lindje të Calais (Francë).

5 persona u arrestuan në Francë, të dyshuar si trafikantët që kanë të bëjnë me ngjarjen tragjike.

Shqetësues mbetet fakti se pavarësisht kësaj tragjedie të rëndë, një ndër më të rëndat të dekadave të fundit, njerëzit sërish tentojnë të kalojnë kanalin angelz, në rrugëtimin prej 32 kilometrash. Këtë të enjte, dy gomone të tjera arritën në Dover (Britani), me 40 emigrantë, siç raportoi gazetari i BBC-së.

Këto ndodhi vijnë një javë pas shkrirjes së një kampi emirantësh në Dunkirk (Francë) me afro 1500 persona.

Më shumë se 25 mijë persona e kanë bërë rrugën e rrezikshme vetëm këtë vit.

Duke folur për BBC-në, Presidenti i porteve të Calais e Boulogne (Francë), Jean- Mar- Puissesseau tha:

“Edhe nëse deti nuk duket i ashpër, në mesin e kanalit ka përherë dallgë. Është shumë e rrezikshme”

Në 20 vitet e fundit, krimi i organizuar dhe bandat e trafikantëve kanë krijuar një industri të tërë të trafikut e kalimit ilegal.

Burimi: BBC/ Përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re