Pandemia ka “paralizuar” punën në Gjykatën e Kurbinit. Tre gjyqtarë të institucionit kanë rezultuar pozitivë nga pandemia duke bërë që të ndërpriten të gjitha proceset gjyqësore, përveç rasyeve urgjente.

Të infektuarit janë vetëkarantinuar në shtëpi pasi nuk kanë simptoma të rënda të sëmundjes, ndërsa testimit i janë nënshtruar të gjithë punonjësit e tjerë, duke përfshirë edhe Prokurorinë, e cila ndodhet në të njëjtën godinë. Deri më tani të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativ, duke bërë që pjesa më e madhe e tyre të rikthehen në punë.

Duke marrë parasysh se Kurbini ka në dispozicion vetëm 3 gjyqtarë, të cilët tanimë nuk mund të punojnë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një listë të gjyqtarëve nga kryeqyteti për të shmangur kolapsin. Deri më 28 shtator, të gjithë dosjet urgjente në Kurbin do t’i shqyrtojë: Shefkie Demiraj, Bedri Qori, Ardian Kalia, Besnik Hoxha, Artan Hajredinaj, Albert Mece, Elisabeta Gjoni, Gert Hoxha dhe Sokol Pasho.

Ndërkohë që në vend ka pasur një shtim të rasteve të infektuara nga pandemia e koronavirusit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë shtruar 152 raste të reja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re