Sot do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Parlamentin e Austrisë. ku 3 kandidate do të jenë me oringjinë shqiptare

Shqiptaret synojnë të fitojnë mandatin e deputetes në zgjedhjet e
parakohshme të së dielës, më 29 shtator, ku kanë të drejtë të votojnë të
gjithë shqiptarët me nënshtetësi austriake.

Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si
edhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë)
kandidojnë për të zënë 3 nga 183 vendet në Parlamentin austriak.

Drita Cacaj ftoi shqiptarët të marrin pjesë në votime, ndërsa i
kërkoi të mos ankohen nëse nuk shprehin të drejtën e tyre të votës.

“Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku
dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të
jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të
Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri–tjetrin nuk mund të
forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje
një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të
kërkuar të drejtat që na takojnë”, tha ajo për albinfo.ch.

“Vota juaj do të jetë përgjegjësi për mua që të ju përfaqësoj në
mënyrën më të denjë njerëzore dhe profesionale. Si shqiptarë që jetojmë
në Austri duhet të jemi të përfaqësuar dhe të integruar si të gjitha
nacionalitetet tjera pa dallim”, theksoi Drita Cacaj, e cila ka si
prioritet integrimin e gruas shqiptare në jetën sociale në Austri.

Ndërkohë në listat e partisë së kandidatit për kancelar Sebastian
Kurz është edhe 36- vjeçarja Ina Rexhepi nga Prizreni, që jeton me
bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Ëels të Austrisë.

“Pas relativisht pak kohësh që u bëra pjesë e partisë, u njoha me
Sebastian Kurz. Ai më emëroi si ambasadore të integrimit për projektin
“Zusammen Österreich” kështu që u bëra më aktive në politikë”, tregon
Ina për “albinfo.ch”, ndërsa deklaroi se partia e saj i trajton më së
miri shqiptarët, sipas saj për shkak të raporteve të mira.

“Për Partinë Popullore në Austri vlerësohet suksesi dhe jo origjina.
ÖVP si prioritete i ka temat si: dixhitalizimi, ndryshimi i Klimës,
forcimi i Evropës, pra, janë të gjitha tema që ndikojnë gjithashtu në
gjeneratën tonë të ardhshme”, tha ajo.

“Secili kërkon një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe fëmijët
e tij. Nëse dëshirojmë të bëjmë ndryshim, atëherë duhet të votojmë,
sepse vetëm duke votuar mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, u shpreh
Ina.

Kandidatja e tretë është 23-vjeçarja Serafina Demaku, e cila ka
lindur në Baden të Austrisë dhe me prejardhje është nga Arbria e
Drenicës.

Demaku është angazhuar në në organizata joqeveritare për çështjen e
migracionit, ndërkohë ka mbajtur edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve
Socialistë të Austrisë

Ajo liston në një postim në Facebook edhe arsyet pse duhet ta votojnë.

“Unë kandidoj për zgjedhjet parlamentare 2019 për një politikë që e
merr seriozisht mbrojtjen e klimës dhe angazhohet për një transport
publik falas. Një politikë që angazhohet për një sistem ekonomik, ku
njerëzit dhe mjedisi vlejnë më shumë se paratë dhe përfitimet. Për një
politikë që krijon strehim të përballueshëm për të gjithë”, shkruan ajo.

Ndërkohë kujtojmë se Austria po zhvillon zgjedhje të parakohshme pas
publikimit të skandalit, ku zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz
Christian Strache përfshihej në një inçizim teksa i ofronte kontrata
qeveritare një nënkontraktore ruse duke i kërkuar në këmbim donacione
politike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re