Tre mjeke të reja specialiste i janë bashkuar stafit të spitalit të Kuçovës, duke jetësuar shërbime që më parë mungonin dhe duke siguruar shërbim të specializuar për qytetarët, afër vendbanimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se po investohet jo vetëm në spitalet rajonale, por, për të garantuar shërbimin bazë afër vendbanimit, po investohet në infrastrukturë dhe burime njerëzore edhe në spitalet bashkiake.

“Investojmë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe tek aseti ynë më i çmuar, tek personeli mjekësor, duke rikthyer në spitalet rajonale dhe bashkiake mjekët specialistë pas përfundimit të ciklit të specializimit 4-vjeçar”, tha ministrja.

“Me pasionin dhe përkushtimin për profesionin, dr. Jerta, dr. Gladiola dhe dr. Florida, mjeket e reja specialiste i janë bashkuar ekipit të spitalit bashkiak të Kuçovës, duke jetësuar shërbimet e Obsetrikë-Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Mjekësisë Interne Rikthehen mjeket specialist në spitalin e Kuçovës”, shprehet Manastirliu.

Në spitalin e Kuçovës është shënuar lindja e parë pas shumë vitesh, me ardhjen e mjekes gjinekologe në këtë spital. Për herë të parë në një spital bashkiak është punësuar një specialist për sëmundjet e brendshme, ndërsa edhe shërbimi i Pediatrisë ka tashmë mjekë të specializuar.

Doktoresha Jetra Mulfali mjeke Obsetër-Gjinokologe, e cila ka kryer specializimin  në Maternitetin “Mbretëresha Gelardinë” në Tiranë shprehet se “me ardhjen time në maternitetin e Kuçovës është vërejtur një rivitalizim në aspektin obsitikal dhe gjinekologjik dhe shpresojmë që gjerat do të shkojnë më mirë. Rreth pesë ditë pas fillimit të punës është realizuar edhe lindja e parë”.

Ndërsa, dr. Gladioale Hoxha shprehet se “kontratën e kisha me spitalin e Kuçovës dhe me mbarimin e specializimit u atashova pranë këtij spitali.

“Relativisht shërbimi i pediatrisë ishte në gjendje të mirë pasi mjeku që kish qenë përpara kishte mbajtur një nivel të lartë shërbimi dhe shpresoj që unë të vazhdojë në të njëjtën rrugë dhe të sjellë përmirësime të tjera”, shprehet ajo.

Mjeket e reja që i shtohen spitalit të Kuçovës sapo kanë përfunduar specializimin 4-vjeçar dhe në bazë të kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, i janë atashuar spitalit të Kuçovës.

Nga ana e saj, dr Florida Husenaj shprehet se “jam atashuar pranë spitalit bashkiak të Kuçovës si mjeke interniste, ku shërbim është ofruar për herë të parë në nivelet e spitalit bashkiak”./ata.gov.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re