Policia ka zbardhur dinamikat e aksidentit tragjik, që ndodhi mbrëmjen e të dielës në fshatin Kullë të Durrësit.

 

Policia ka vënë në pranga 3 persona për ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën 40-vjeçari Naim Mena.

 

Ai udhëtonte në një motoçikletë pa targa me drejtues 24-vjeçarin Amonali Halili, kur janë goditur nga një autoveturë me drejtues Gjin Rusin.

 

Sapo ka ndodhur ngjarja, të dy drejtuesit e mjeteve nuk kanë ndaluar dhe e kanë braktisur 40-vjeçarin në rrugë. I gjendur pa ndjenja, ai është goditur pak më vonë edhe nga një automjet tjetër me drejtues Hasbi Hasbiun, çka ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme të 40-vjeçarit.

 

Tashmë, të tre personat janë vënë në pranga dhe akuzohen për dy vepra penale: shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe largim nga vendi i aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re