Tre persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit në urën që lidh Rusinë me Krimenë.

Në një deklaratë nga Zyra për media e Qendrës Kombëtare të Rusisë për Luftën Kundër Terrorizmit thuhet se për shkak të shpërthimit në kamionin mbi urën Kerç (Kerch), ka rënë zjarr në vagonët e trenit që transportonin karburant në afërsi.

Në deklaratën e Komitetit Hetimor të Rusisë thuhet se si pasojë e shpërthimit në kamion kanë humbur jetën 3 persona.

Më tej bëhet e ditur se është përcaktuar identiteti i drejtuesit të kamionit në të cilin ka ndodhur shpërthimi dhe se hetimi është në vazhdim.

Për shkak të dëmit të shkaktuar ura është mbyllur për trafikun.

Në pamjet e publikuara në median sociale, paraqitet shembja e rrugës mbi urën Kerç (Kerch) si dhe flakët që ngrihen nga vagonët me karburant mbi shina.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin është informuar për ngjarjen dhe se është ngritur një komision special hetimor.

Ura e cila u inaugurua zyrtarisht nga Putini në vitin 2018, ka një rëndësi strategjike për Rusinë për shkak se ajo siguron lidhjen e rrugës tokësore me Krimenë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re