EMISIONI VETTING

Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting” rezulton se noterja Zana Dema kishte lëshuar tre prokura të posaçme, e para e lëshuar në janar 2004 dhe tjetra e lëshuar në fund të po atij viti.

Nëpërmjet këtyre prokurave është bërë dhe regjistrimi fillestar i pronës prej 101 700 m2, ku në janar 2005 i është shitur qytetarit Ardian Colaj, i cili e ka ndarë pronën në dy sipërfaqe në emrin e vet.

Sipas hetimeve rezulton se trashëgimtarët nuk kanë patur dijeni për këtë çështje dhe dy personat, që kanë zotëruar prokurën e posaçme, e konsideruar pas hetimeve si e falsifikuar, janë dënuar nga Gjykata e Lezhës.

Sipas Flamur Çollakut, prokurori i çështjes duhet të kishte marra disa masa të tjera përsa i përket rastit në fjalë.

Sipas avokatit Flamur Çollaku: “Organi i akuzës Lezhë ka hetuar dhe mbasi ka hetuar ka marrë dy persona për mashtrim dhe falsifikim dokumenteve, si edhe bashkëpunimin. Dhe çfarë ka ndodhur? Ka propozuar dhe i ka kërkuar gjykatës, dënimin e personave për mashtrim dhe për falsifikimin e dokumenteve, por nuk ka kërkuar asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tani vepër penale nga organi i akuzës nuk mund të them sepse organi i akuzës, veprimet e veta do ti gjykonte gjykata. Edhe sikur mos ti kërkojë organi i akuzës asgjësimin e dokumenteve, edhe për të qenë i qartë për qytetarët, “mjeti i krimit” në këtë rast është dokumenti i falsifikuar. Mjeti i krimit duhet të asgjësohej! Dhe mjetin e krimit nuk e kanë asgjësuar! Por edhe kur nuk e kërkon organi i akuzës, këtë pasojë duhet ta rregullojë gjykata!”

Megjithatë me anë të vendimit 442/2006, nga Gjykata e Lezhës janë konstatuar si të pavlefshme veprimet e kryera nga prokurat e falsifikuara dhe është urdhëruar Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë të bëjë regjistrimin e pasurisë në emër të të gjithë ish-pronarëve.

Sipas avokatit Adriatik Lapaj: “Çdo veprim juridik që vepron nga një veprim i paligjshëm, është nul. Që do të thotë nëse transaksioni buron me një akt të paligjshëm në themel, nuk mund të ketë vlerë juridike dhe bie automatikisht në raport me origjinën. Pra, prona qëndron aty ku qëndron dokumenti i origjinës. Dhe konflikti i pronës në Shqipëri, prej rënies së komunizmit deri sot ka mbi 10, 500 viktima.”

Pra, institucionet duhej të kishin reaguar për të shmangur konfliktet midis pronarëve, duke dhënë zgjidhje, të cilat respektojnë të drejtën e pronësisë, e cila garantohet me ligj.

Sipas avokatit Flamur Collaku: “Këto dokumente që kanë dalë të falsifikuara  nga prokurat dhe të gjitha veprimet juridike që janë të bazuara mbi këto dokumente, faktikisht ato prodhojnë efekte juridike në mënyrë të kundraligjshme.  Mbi dokumentet e falsifikuara nuk duhet të ishte kryer asnjë veprim. N.q.s. organi i akuzës dhe gjykata do të kishin asgjësuar dokumentet e falsifikuara, nuk do vihej në këtë situatë….”

Sipas ekspertëve të ligjit, pasojat nga veprimet juridike mund të parandalohen duke marrë masa në kohë, për të penguar efektet negative për qytetarin, por edhe për taksapaguesit shqiptarë. Sipas avokates Margarita Kola, pas konstatimit të paligjshmërisë, duhej të ishin asgjësuar të gjitha produktet e përfituara nga vepra penale.

“Ligji penal përcakton që për një çështje penale prokurori t’i drejtohet gjykatës për të dërguar çështjen në gjykatë, për gjykim, pushim etj, pasi të jetë sipas saj. Por në rastin që është për gjykim sipas saj prokurori duhet t’i kërkonte gjykatës asgjësimin e produkteve të veprës penale dhe gjykata duhej të shprehej për këtë.

Por edhe në rastet që prokurori nuk e kërkon gjykata duhet të shprehet në lidhje me asgjësimin e produkteve të veprës penale. Edhe në rastet kur nuk është shprehur, prokurori mundet të nxjerrë një urdhër ekzekutimi bazuar në rrjedhën logjike të vendimit të gjykatës kur ka dalë që kjo është kryer si produkte  I veprës penale, po ka të bëjë edhe me pastrimin e produktit të veprës penale, prokurori nxjerrë vendimin për asgjësimin ku të jenë këto produkte të veprës penale, të cilat asgjësohen në mënyre që të mos prodhojnë më pasoja ligjore me vlerë juridike. Në qoftë se në këtë rast prokurori nuk e ka kryer këtë, prokurori ka shpërdoruar detyrën se e ka pasur detyrë ta bëj”.

Një detaj i rëndësishëm që është anashkaluar nga rasti në fjalë është edhe sipërfaqja 101 mijë e 700 m2, e cila është blerë me vlerë totale 2 milionë e 500 mijë lekë, që është një shifër anomalisht e ulët përsa i përket vlerës së tokës pyjore në atë kohë.

Sipas denoncuesit Nik Palokaj: “Në 2008 arriti krimi ekonomik dhe provoi prokurën fallco…, ia ka shitur me çmim krejt banal atyre që e kanë blerë”.

Sipas ish-titullarit të Kadastrës, Flamur Çollaku, nuk ka mundësi që një tokë në një zonë të tillë, të shitet me atë çmim. “Pra, 101, 700 m2 i ka blerë i njëjti person me vlera mos gabohem 2 milionë e 500 mijë lekë të reja. Pra, 101 700 m2 janë shitur me 2 milionë e 500 mijë lekë të reja do të thotë një evazion fiskal i jashtëzakonshëm. 101 700 m2 nuk mund të bëjnë kurrë 25 milionë lekë të vjetra! Po ta shohim se sa i ka ra vlera metri katrorit, jo në 2008, por asnjëherë nuk ka qenë më çmim kaq të ulët.”- u shpreh avokati Flamur Çollaku.

Por kush ka qenë prokurori që është marrë në vitin 2008 me çështjen e falsifikimit të kësaj prone?

Prokurori i ngarkuar me çështjen, për të cilën është marrë vendimi në 2008, është Arben Agovi. Ky i fundit e ka nisur karrierën në drejtësi në 2001 dhe deri në vitin 2007 ka qenë në Prokurorinë e Mirditës. Më pas ka kaluar në Prokurorinë e Lezhës dhe në vitin 2020 është transferuar në Prokurorinë e Tiranës nëpërmjet  vendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Më 13 dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori vendimin për të konfirmuar në detyrë Prokurorin Arben Agovi. Vendimi, i cili u mor në mënyrë unanime nga KPK-ja u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkarkimin nga detyra të Prokurorit Agovi.

Në ankimimin e datës 29 janar 2024, Komisioneri Publik, Irena Nino ka kërkuar shkarkimin e Agovit për aspektin e profesionalizmit. Një ndër provat e parashtruara nga Komisioneri Publik lidhej me një denoncim anonim, ku ngrihet pretendimi se Agovi është i korruptuar, pasi çdo vërtetim në Prokurorinë Lezhë, sipas denoncimit, e ka lëshuar kundrejt korrupsionit, ashtu siç dyshohet se edhe ka mbyllur disa dosje.

Për këtë prokuror denoncuesi ka dhënë adresën në ueb dhe tekstin e publikuar nga një emision televiziv, ku përmendet se prokurori Agovi ka përfituar në mënyrë korruptive shumën prej 500 euro.

Sipas avokatit Adriatik Lapaj: “Në shumicën e rasteve keni dëgjuar dhe dëgjoni, që drejtësia është, pra, sektori bazë që garanton pronën e me radhë e me radhë. Kjo nuk është se nuk është e vërtetë, por të jemi të qartë: Gjyqtarët dhe prokurorët edhe kur duan të jenë në zbatim të ligjit, janë subjekte të ligjit, që do të thotë, një gjyqtar i ndershëm, një prokuror i ndershëm, duhet të zbatojë ligjin.”

LEXO EDHE: 

Vetting/ Saga e pronarit mbetet që mbeti pa tokë! Si u ‘grabitën’ me letra false 101 dynym tokë në Shëngjin! Prokurori konstatoi abuzimin, por nuk asgjësoi dokumentet

Tre prokura false ‘zhdukën’ pronarët nga toka! Si u shitën 101 dynym tokë me çmimin qesharak prej 2 milionë e 500 mijë lekë! Procedura abuzive zbërthehet nga ekspertët e Vetting

Vetting zbulon shkeljet ligjore me pronën e Nik Palokajt! Avokatja: Gjykata i dha të drejtë, por prona u shit disa herë! Kush fshihet pas batërdisë me tokat

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re