Këtu jemi në fshatin Laknas të bashkisë Kamëz. Brenda kësaj banese jeton një nënë me dy fëmijë,10 e 12 vjeç.

Miriana prej një dekade jeton këtu me qira. Erdhi me të shoqin e fëmijët për një jetë më të mirë, por seria e tragjedive ia këputën shpresat për të ardhmen. Vitin që lamë pas, kjo grua përjetoi në harkun kohor të 8 muajve, tre sprova të mëdha.

 “Kemi 10 vjet që jetojmë këtu me qira. Kemi ardhur nga Priska e madhe e jetojmë në këtë banesë. Ia kena dalë, diku mirë, diku keq. Në 2021 tim shoqi i ra një si lloj gripi. Kur shkuam në spital, na thanë që im shoq është prekur nga kanceri.”-rrëfeu për “Shqiptarët për Shqiptarët” Miriana.

Pas lajmit të rëndë, familja mori kredi një sasi të hollash për t’i bërë ballë sëmundjes… por kanceri ia mori bashkëshortin Mirianës. Mbeti e vetme, në shtëpi me qira, me kredi dhe me dy fëmijë për të rritur. As para për varrimin e të shoqit nuk kishte.

“Kur dëgjova doktorët që më thanë, nuk shpëton më… (qan) Im shoq më tha, do të më çosh në shtëpi… mesa mundëm, u munduam por nuk ia dolëm. Morëm borxh, bëmë çka bëmë, por nuk ia dolëm dot. Pas vdekjes së tij, mbeta vetëm. Komshinjtë më ndihmuan për të bërë funeralin.”-rrëfeu mes lotëve Miriana.

Tragjeditë nuk do të mbaronin me kaq. Në 8 muajt e ardhshëm, Miriana do të humbte edhe dy familjarë të tjerë, duke mbetur kësisoj pa asnjë lloj përkrahje… e vetme.

“Familja u trondit sërish pas 4 muajsh, më vdiq plaka. I ra një trompozë. Përsëri ndodhi një fatkeqësi tjetër, kunati më vdiq, njëlloj si sëmundja e tim shoqi (kanceri). Unë jam shumë e tronditur, sepse për 8 muaj ikën tre vetë. Për mua ishte shumë… atëherë filloi, nuk kishte më kthim për ne, për mua e dy fëmijët e mi.”-tregoi nëna e dy jetimëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re