Një aksident i rëndë  ndodhi pasditen e kësaj të enjteje në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, ku dy vëllezër humbën jetën teksa udhëtonin me motor. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të fshatit Progër kur një automjet përplasi motorin në të cilin udhëtonin viktimat.
 
Sipas policisë, drejtuesi i motorit Billi Telo 23 vjeç nga fshati Plase, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa vëllai i tij 17-vjeçar Simon u transportua në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
 
Hetuesit thanë se dy mjetet lëviznin në të njëjtin drejtim dhe në momentin kur motori do kthehej për në fshatin Progër, mjeti i goditi nga pas. Shkak, sipas policisë, u bë mosmbajtja e distancës së lejuar nga makina me një drejtues 55-vjeçar, por dhe lagështia në rrugë.
 
Në Fier një tjetër aksident rezultoi fatal për një 42-vjeçar. Mësohet se ai humbi jetën pasi makina që drejtonte u përplas më një tjetër automjet në aksin rrugor Fier-Cakran. Policia, e cila mbërriti ne vendngjarje, bëri me dije se shkak i aksidentit u bë manovrimi i gabuar dhe lëvizja tej normave të shpejtësisë.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re