
Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate për mediat, lidhur me ngjarjet e fundit të kësaj të marte, ku janë shënuar 3 viktima dhe një plagosur në vende të ndryshme të Shqipërisë.
Tre vrasje me thikë, në Berat, Tiranë dhe Durrës si dhe një i plagosur nga një atentat me tritol në Shkodër, që sipas PD-së tregojnë se “flasin për gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me Diellën dhe ‘Kryeministrin diell’”.
Deklarata e Partisë Demokratike:
Dita e sotmë është kthyer në një të ‘martë të zezë’ për Shqipërinë. Tri vrasje me thikë, në Durrës, Tiranë dhe Berat, dhe një i plagosur me tritol në qytetin e Shkodrës, flasin për gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me Diellën dhe ‘Kryeministrin diell’.
Partia Demokratike duke dënuar me forcë çdo akt dhune ngushëllon familjet e viktimave dhe bën thirrje që drejtësia të veprojë me baraspeshë dhe ftohtësi për të shmangur çdo vetëgjyqësi.
Në të njëjtën kohë ne ngrejmë alarmin për rolin e spektatorit në raport me rendin e sigurinë ku e ka lëshuar veten Policia e narkoshtetit, duke treguar jo vetëm paaftësi, por edhe pandjeshmëri ndaj qytetarëve dhe rendit publik.
