Brenda një muaji tregtarët e Markatës së Shijes në Korçë kanë protestuar dy herë përpara bashkisë me pothuajse të njëjtat kërkesa. Konkurenca që u bëhet nga tregtarët e shumicës nga njëra anë por edhe dyqanet e fruta perimeve te ish pazari, si dhe tarifat e larta kanë bërë që thuajse të gjithë tregtarët të lenë punën dhe t’i drejtohen bashkisë duke i kërkuar zgjidhjen e këtij problemi të mbetur pezull.

 

Sipas tregtarëve që prej protestës së fundit, nga ana e bashkisë u plotësua vetëm një kërkesë, ajo e uljes me 20% e tarifës së vendit.

 

Ata thonë se kjo nuk është e mjaftueshme pasi në markatën e re nuk ka punë.

 

Qytetarët, sipas tregëtarëve, zgjedhin në të shumtën e rasteve pazarin e shumicës që është shumë afër me këtë markatë, si dhe njësitë e reja të çelura në pazarin e vjetër të fruta perimeve.

 

Tregtarët theksojnë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të gjithë do të largohen nga markata e re, gjë e cila ka filluar të ndodhë që tani me disa prej tyre.

 

Prej gati dy muajsh tregtarët ambulantë kanë nisur punën në Markatën e Shijes e cila u ndërtua nga bashkia e Korçës me kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore.

 

Por duket se deri më tani tregtarët nuk kanë gjetur veten në këtë treg të ri për shkak sepse sipas tyre bashkia nuk është duke respektuar rregullat e lojës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re