Skip to content

Tregtia globale do të pësojë rënie prej 27% për shkak të Covid-19

Tregtia globale parashikohet të bjerë në një rekord prej 27% në tremujorin e dytë të vitit pas një rënie në eksportin e makinave, pjesëve të makinerive dhe naftës, shkruan The Guardian.

Pandemia e koronavirusit ka goditur ofertën dhe kërkesën për produkte në të gjithë botën, duke çuar në një rënie të madhe të tregtisë botërore, tha Unctad, organizata e Kombeve të Bashkuara që ndjek gjurmët e tregtisë.

Pothuajse çdo kategori e mallrave pritet të pësojë rënie të tregtisë gjatë muajve në vazhdim, duke shtuar rënien prej 3% në tremujorin e parë të vitit.

Unctad tha që të dhënat zbuluan tronditjen e madhe që i ka bërë ekonomisë globale pandemia Covid-19.

Kina ishte vendi i parë që raportoi një rënie në tregtinë përpara një bllokimi të vendosur nga autoritetet në Pekin në shkurt. Pjesa tjetër e botës së zhvilluar pësoi rënie në Mars kur filluan bllokime të ngjashme.

 

Shumë nga fabrikat e Kinës janë hapur ndërkohë, por raportet nga ekonomia e dytë më e madhe në botë tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e industrisë së vendit është ende duke funksionuar midis 60% dhe 80% të kapacitetit.

Ditët e fundit autoritetet lokale në Kinë kanë izoluar disa  qytete në veri-lindje të vendit dhe mbyllën gjithashtu disa shkolla për herë të dytë pas shfaqjes së infeksioneve të reja Covid-19 .

Stephen Gallo, kreu europian i strategjisë së këmbimit valutor në BMO Capital Markets, tha: “Megjithëse është arritur shumë përparim, ekonomia e Kinës është akoma duke funksionuar nën nivelet para-Covid.”

Europa, SH.B.A. dhe pjesa më e madhe e Amerikës qendrore dhe jugore kanë filluar të lehtësojnë bllokimet, por ekonomia do të jetë në rënie të paktën për disa muaj.

Unctad tha që rënia e tregtisë globale u shoqërua me një rënie rekord të çmimeve të mallrave, për të cilat tha se “kishte rënë në mënyrë të jashtëzakonshme që nga dhjetori i vitit të kaluar”.

Një indeks i çmimeve të mallrave të tregut të lirë (FMCPI), i cili mat lëvizjet e çmimeve të mallrave primarë të eksportuar nga ekonomitë në zhvillim, humbi 1.2% të vlerës së tij në janar, 8.5% në shkurt dhe 20.4% në mars.