“Tregu i dializës është oligopol”/ Autoriteti i Konkurencës: Shërbimi është zhvendosur në spitalet private

Dializa-1.png

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Shqiptarët kanë pak ose aspak mundësi zgjedhje kur bëhet fjalë për të marrë mjekim, sidomos për disa shërbime spitalore në të cilat nuk ka konkurrencë.

 

Konkretisht bëhet fjalë për shërbimin e Dializës që dominohet nga Spitali Amerikan dhe ai Internacional, që zotërohen nga i njëjti pronar.

 

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur një hetim në tregun e shërbimeve spitalore dhe ka dalë në përfundimin se në këtë pjesë të tregut ka situatë oligopol.

 

“Tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim të lartë duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik. Treguesit e përqendrimit HHI paraqiten me ulje gjatë vitit 2017; 2018 dhe 2019, por pjesa e tregut, e tre konkurrentëve më të mëdhenj në treg është duke u rritur. Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare ndërkohë që në spitalet publike ofrohet vetëm pranë QSUT-së e cila mbulon një përqindje të ulët të kërkesës për shërbim.”- thuhet në raport.

 

Nga hetimi i kryer i autoritetit të konkurrencës rezulton se ka pengesa për të hyrë operator të rinj që mund të ofrojnë këtë shërbim, duke konfirmuar faktin e një konkurrence të ulët në treg.

 

Për dhënien e shërbimit të dializës, ka pengesa në hyrje për shkak të nevojave për investime fillestare, sigurim të stafit mjekësor dhe ndihmësmjek dhe ambienteve akomoduese për dhënien e shërbimit. Pjesa e madhe e tregut që zotërojnë spitali Internacional dhe Amerikan shërben si tregues për ekzistencën e barrierave për hyrje dhe zgjerim në këtë treg. Mungesa e hyrësve të rinj në këtë shërbim, tregon që konkurrenca potenciale është e ulet, e ndikuar kjo nga investimet e rëndësishme të kryera për këtë shërbim. Pacientët kanë marrëdhënie afatgjatë më ofruesin e shërbimeve, me efekte përjashtuese më konkurrentët e tjerë.-vijon më tej raporti

 

Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare, ndërkohë që në spitalet publike shërbimi ofrohet vetëm pranë QSUT-së, e cila mbulon vetëm një pjesë të vogël të kërkesës.

 

Konkurrenca kërkon nga FSDKSH që të shpërndajë në mënyrë të drejtë paketat e shërbimeve, duke i vendosur të gjithë ofruesit e shërbimeve në kushte të drejta konkurruese.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë