Në një hark prej pak më shumë se 24 orëve në vendin tonë ndodhën dy atentate të rënda të tipit mafioz në Elbasan dhe në Vlorë, ndëkohë që një i ri në Tiranë u qëllua për vdekje nga miku i tij.

Në lidhje me këtë situatë që duket se ka dalë jashtë kontrollit nga Policia e Shtetit, kanë qenë të ftuar në studion e lajmeve të Fax news gazetarët Basi Çollaku dhe Fatjon Gjinaj, të cilët bënë një panoramë më të qartë të asaj që ndodh jashtë vëmendjes së kamerave.

Sipas Gjinajt këtë vit ka një numër më të madh të ngjarjeve që nuk janë zbardhur në krahasim me vitin që lamë pas, ndërsa tha se shumë prej ngjarjeve që finalizohen me vrasje apo atentate në Shqipëri, e kanë gjenezën në përplasjen e grupeve jashtë vendit, e që lidhen kryesisht me krime që kanë të bëjnë me drogën apo prostitucionin.

Çollaku nga ana e tij foli për trekëndëshin e famshëm Elbasan-Tiranë-Durrës, e cila përdoret nga grupe të ndryshme të trafikut të lëndëve narkotike, dhe ku hera herës ndodhin atentare mafioze për larje hesapesh.

“Ne kemi një situatë të pazakontë, aktualisht duhet të them diçka, krimi është në binar, ato që kanë dalë nga binarët janë institucionet. Parandalimi i krimeve lë vërtetë shumë për të dëshiruar, vërtetë kanë bërë krime jashtë vendit, por ama këta persona kanë prona dhe pasuri në Shqipëri, e policia duhet të kontrollojë territorin.

Trekëndëshi i famshëm Elbasan-Tiranë-Durrës, është një vatër e trafikut që sjell krim kur prishen pazaret, shumë prej këtyre grupeve marrin tendera publikë, ku bëjnë të mundur dhe pastrimin e parave. E gjithë kjo hallkë paligjshmërie sjell dhe gjyhën e tyre të komunikimit që janë armët. Ne shohim që Policia shkon në vendngjarje dhe mbledh makinat e djegura, për mua policia është e implikuar sa kohë që nuk parandalon.

Ka një rritje me 40% të trafikut të drogës, e ka thënë vetë kreu i prokurorisë Gentian Çela, fuqizimi i këtyre grupeve kriminale, paraja marramendëse që ata kanë në duar, sigurisht që do të sjellë prishjen e ekuilibrave, do vijmë te armët, do vijmë te vrasjet.

Për mua shqetësuese është puna e të gjithë agjentëve që janë në terren, që duhet të kenë një rritje të numrit të parandalimit, ata e dinë shumë mirë se kush janë të kërkuarit, që vijnë dhe nga jashtë e strehohen në Shqipëri, siç janë edhe dy shtetasit turq që kanë mashtruar me miliona euro në vendet e tyre”, tha Çollaku, ndërkohë që foli me rezerva dhe për punën e bërë nga SPAK, që sipas tij është ende shumë larg pritshmërive që kanë qytetarët për drejtësinë.

“Kemi një vit e gjysmë, dhe unë nuk shoh një inventar konkret nga SPAK, merren me gjëra të 15 viteve më parë, ok le të merren me ato, por ndërkohë kanë ndodhur një sërë veprash të rënda. Kriminelët i kemi pasur në parlament, kanë qenë dhe janë, i kemi në bashki, i kemi në polici, e kanë ciklin e mbyllur, pasi nuk heton askush ndaj tyre.

Ka kohë që ky qytet (Elbasani), ndryshe nga tradita e edukimit dhe kulturës, është shndërruar në një strehë të trafiqeve dhe vatrave të krimit, vërtetë problematike. Është një udhëkryq i trafikur të drogës, duke nisur dhe nga vrasja që ndodhi në ditën para zgjedhjeve. Aty ka njerëz shumë të pushtetshëm, viktima ka një plumb dhe ata që janë fajtorët e vërtetë nuk janë ndëshkuar.

Në Elbasan kemi Xibrakën, kemi zotin Luca, janë grupe që janë me emër, që nisin që nga përplasja te tregu i Elbasanit, që të gjithë e dimë si ka ndodhur, janë njerëz me rekorde kriminale, dihet se kush janë dhe dihet si u lirua Klement Xhaferri, për të vazhduar më pas te heqja e sekuestros për resortin e Altin Hajrit.

Ky krim ndërkombëtar që prodhon miliona euro, normalisht që do të reflektohen edhe këtu. Operacione të suksesshme në vendin tonë, janë vetëm ato që bëhen në bashkëpunim me partnerët. Durrësi, Elbasani, Vlora nuk mund ta nxjerrësh nga kjo histori. Vlora është një qark jo vetëm ku prodhohet, por edhe ku eksportohet droga, çfarë donte agjenti i antidrogës në makinën e një eksponenti të krimit (I referohet vrasjes së Bledar Birçajt).

Gjithë kjo ushtri ka mbështetje nga politikanë, prokurorë, gjykatës, trafikantë dhe vrasës, që bënë një ushtri elektorale, që doli në rrugë në 25 Prill. Një i njohuri im më thoshte se këta persona që nuk iu dolën llogaritë e veta, kanë dalë në terren tashmë dhe po kërkojnë llogari aty ku kanë hedhur lekët.

Mafia është kur elementët kriminalë kanë përfaqësues të tyre në zyrat e shtetit”, u shpreh Çollaku.

Ndërkohë që gazetari Gjinaj tha se përpara zgjedhjeve drejtuesi i prokurorisë kishte dhënë urdhër që të mbaheshin në vëzhgim persona me rekorde kriminale, gjë që dështoi në Elbasan, me vrasjen e Pjerin Xhuvanit 4 ditë përpara zgjedhjeve.

“Pas çdo ngjarje kriminale publikohen dhe pamje apo foto, nga kamerat e sigurisë që tregojnë dinamikën, gjë që nuk ndodhi në Elbasan. Drejtues të policisë së shtetit urdhëruan para zhjedhjeve që të mbahen në vëzhgim persona me precedentë penalë në të gjithë vendin, gjë që tregoi se nuk funksionoi, në Elbasan, ku pamë një vrasje dhe u plagosën disa të tjerë. Pyetja që unë kam për prokurorin e Elbasanit, është nëse i ka mbajtur apo jo në vëzhgim personat me rekorde kriminale dhe pse detyrohej që të bënte deklarata kontradiktore në media dhe në sallën e gjyqit”, deklaroi Gjinaj.

Çollaku bëri thirrje që në rast se situata do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, niveli i krimit do të jetë i lartë dhe brenda vetë insitucioneve.

“Shoh prokurorin drejtues të SPAK që del shumë rrallë, që i rikthehet ngjarjeve të 15 viteve më parë, i shoh të pafuqishëm për të ndëshkuar njerëz që bëjnë krime të rënda, dhe i kriminalizojnë institucionet, gjë që do të na kërkojnë shumë vite që ta rikthejmë në normalitet”, tha më tej Çollaku.

(E.K/Faxweb.al)

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re