Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Basha kësaj here pritet të përballet me një sfidë të vështirë, ajo e betejës në zgjedhjet lokale të pjesshme në 6 bashki pa kryetarë.

Durrësi, Shkodra dhe Lushnja janë tre qytetet kryesore, ndërsa palët janë ende në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ditë më parë rrëzoi kërkesën e opozitës për të shpallur si të pavlefshme zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, të cilat opozita i bojkotoi në bllok, konkretisht PD, LSI dhe aleatët e saj.

Lulzim Basha reagoi për herë të parë sa i përket vendimin të Kushtetueses. Ai u shpreh se PD është në pritje të zbardhjes së argumentimit të Kushtetueses, duke e lënë pezull faktin nëse PD-ja do të hyjë në këtë betejë ose jo.

“E para e punës të presim vendimet dhe zbardhjen e tyre. Pa diskutim që atentati antidemokratik i “30 qershorit” është pjesë e skemës së shkatërrimit të demokracisë nga regjimi në fuqi dhe objektivi kryesor i Partisë Demokratike është të rikthejë Shqipërinë në një vend demokratik nga një regjim autokratik në të cilin është kthyer nën sundimin e Edi Ramës”, tha Basha.

Por nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, që siç e parashikon Kodi Zgjedhor, Lulzim Basha ndodhet përpara shumë sfidave. Së pari i duhet të përballet me atë që e cilësoi si trekëndëshi i Bermudeve: Me Ilir Metën, Edi Ramën dhe më të vështirën Sali Berihën. Ky trekëndësh është deklaruar dhe nga vetë Basha në një deklaratë nga foltorja e Parlamentit, duke hapur kështu luftë në tre fronte.

Së pari, përballja me Metën do të jetë, nëse presidenti do të ftojë partitë politike për konsultime për datën e zgjedhjeve të pjesshme. Së dyti nëse zgjedhjet caktohen në dhjetor, e kjo varet nga zbardhja e vendimit të Kushtetueses, Basha do të ketë një përballje me socialistët në një krizë të fortë brenda PD-së.

Më 11 dhjetor, Berisha ka shpallur mbledhjen e Kuvendit të PD-së, që kontestohet nga Basha dhe sipas të gjitha gjasave do të kemi dy PD që mund të përfundojë në dyert e Gjykatës, se kush do të mbajë vulën, ose do të quhet kryetari legjitim.

Ndërsa përballja me Ramën mund për bashkitë mund të kalojë në plan të dytë përballë kësaj krize. Rama dhe socialistët ndjehen komod në këto situatë, madje mund të synojnë që votimet për 6 bashkitë të mbahen në kulmin e krizës së PD-së, pra brenda dhjetorit.

Gjithçka do të varet edhe nga qëndrimi që do të mbajë Ilir Meta. Pra nëse presidenti do t’i caktojë zgjedhjet në mars, apo në dhjetor si pjesë e hakmarrjes së Bashës, i cili ka bërë edhe një ndarje të qartë me LSI-në, partinë që drejtohet de jure nga bashkëshortja e presidentit. Dimri i vështirë pritet të jetë për Bashën, pasi i duhet të përballet me atë që ai i ka futur në një thes, duke i cilësuar si trekëndëshi i Bermudeve.(Shqip)

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re