Kanë kaluar tri vite që kur Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) çliruan rajonin e Afrinit në veri të Sirisë nga pushtimi i organizatës terroriste YPG/PKK.

Me përfundimin e operacionit “Dega e Ullirit” më 18 mars 2018 qendra e rajonit të Afrinit u pastrua nga organizata terroriste YPG/PKK. Me përfundimin e operacionit u vendosën nën kontrollin e TSK dhe SNA 6 qendra komune, 282 fshatra, 6 vendbanime, 23 male dhe kodra strategjike, 1 digë dhe 50 pika strategjike.

Gjatë operacionit u neutralizuan 4.519 terroristë. Ndërsa ranë dëshmorë 54 ushtarë turq dhe u plagosën 236 të tjerë. Gjithashtu u martirizuan edhe 320 ushtarë të SNA-së e cila veproi në front bashkë me TSK-në.

Pas vendosjes së kontrollit në qendër të Afrinit, në rajon u formuan 7 Këshilla Lokalë dhe filloi t’i ofrohet shërbim popullatës së rajonit.

Me Këshillat Lokalë të mbështetur nga Turqia për rikthimin e jetës në normalitet në rajon filloi t’i ofrohet mbështetje popullatës në fushat si bujqësi, industri, tregti, kulturë, sport, shëndetësi dhe arsim.

Falë sigurisë së dhënë nga ushtarët e TSK-së dhe SNA-së, civilët filluan të kthehen në shtëpitë e tyre që nga 20 marsi 2018. Pas një periudhe 3 vjeçare numri i civilëve që jetojnë në qendër dhe zonat përreth rajonit ka arritur në 350 mijë.

Rrugët pastrohen rregullisht në rajonin ku janë kryer edhe punime të infrastrukturës dhe asfaltimit.

Ndërkohë që edhe organizatat e ndihmës humanitare vazhdojnë të ndihmojnë personat në nevojë në qendër të rajonit dhe në komunat përreth.

Mbështetje e madhe për shëndetësinë dhe arsimin

Turqia vazhdon ndihmën e saj në rajon në fushat e shëndetësisë dhe arsimit.

Pasi operacioni arriti me sukses objektivin e tij, me mbështetjen e Turqisë në Afrin u rivendos në shërbim një spital me kapacitet prej 100 shtretërve dhe shërbime në 13 degë.

Krahas 5 spitaleve që ndodhen në qendër, nëpër komuna ofrojnë mundësi trajtimi falas për popullatën e rajonit edhe 25 qendra shëndetësore.

Po ashtu nëpër shkolla iu dha fund sistemit arsimor të imponuar nga YPG/PKK-ja dhe u kalua në arsimin në përputhje me programin mësimor të përcaktuar nga qeveria përkohshme e opozitarëve.

Në qendrën e rajonit krahas qendrës kulturore, kompleksit sportiv dhe Fakultetit të Edukimit Afrin të Universitetit Gaziantep që u hap me një dekret të presidencës, në Afrin dhe zonat përreth ndodhen 263 shkolla ku arsimohen rreth 65 mijë nxënës.

Po ashtu në rajon janë hapur pas riparimit për adhurim 135 xhami.

Anëtari i Këshillit Lokal të Afrinit, Azad Osman, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se “Si Këshill Lokal jemi shumë të suksesshëm në fushën e arsimit pas vitit të tretë të çlirimit të Afrinit nga organizata terroriste YPG/PKK”.

Ai tha se pas përfundimit të riparimeve kanë hapur të gjitha shkollat në Afrin. “Në këto shkolla arsimohen rreth 65 mijë persona. Me hapjen e universitetit në Afrin është plotësuar një temë e cila ishte shumë i mangët”, tha Osman.

Sipas tij, edhe në fushën e shëndetësisë, popullata e Afrinit përfiton falas nga shërbimet shëndetësore. “Si Këshill Lokal me mbështetjen e vëllezërve tanë turq ne po përpiqemi të eliminojmë nevojën për energji elektrike që është një prej nevojave më të rëndësishme të popullatës sonë. Energjia elektrike e siguruar më parë me gjeneratorë të vendosur nëpër lagje shkaktonte zhurmë dhe ndotje të mjedisit. Eliminuam të gjitha këto dhe kemi dërguar energji elektrike deri tek shtëpitë e civilëve”, tha Osman.

Ai shpjegoi se gjatë pushtimit të YPG/PKK-së për popullatën në zonën e Afrinit nuk siguroheshin shërbime të tilla si rrugë, ujë dhe spitale.

“Njerëzit migruan në rajone të tjera për të shpëtuar nga organizata dhe për të vazhduar një jetë më të mirë. Fatmirësisht popullata e Afrinit i ka të gjitha shërbimet. Njëra nga gjërat që ka gëzuar më shumë popullatën e Afrinit është heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak që aplikohej nga organizata. Tashmë bijtë tanë nuk merren më ushtarë me detyrim dhe nuk luftojnë në radhët e organizatës”, tha Osman duke shtuar se:

“Afrini është shtëpi për të gjithë sirianët. Mirëpret njerëz nga çdo rajon. Falënderojmë shumë popullin dhe qeverinë turke që nuk na kanë lanë vetëm dhe gjithashtu për mbështetjen e dhënë edhe Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA) e cila ka qenë mbështetësja më e madh në operacion”.

Banori i Afrinit, Samir Shejh shprehu falënderimet e tij për Turqinë dhe Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA) të cilat shpëtuan Afrinin nga terrorizmi.

“Turqia bëri atë çka mundi për Afrinin. Kemi spitale, janë hapur shkolla madje mund të sigurojmë edhe energji elektrike”, tha Shejh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re