Në Salzburg, Wolfgang Porsche, manjati i industrisë së famshme të automobilave, po shkakton reagime me planin e tij për të ndërtuar një rrugë private nëntokësore që do të lidhë rezidencën e tij me qendrën e qytetit.
Biznesmeni 82-vjeçar bleu vilën e shekullit të 17-të në kodrën Kapuzinerberg në vitin 2019 për rreth 9 milionë euro. Ajo ishte dikur shtëpia e shkrimtarit Stefan Zweig(Cvajgut). Pas viteve të rinovimit, Porsche tani po planifikon një rrugë nëntokësore 500 metra të gjatë që do të fillojë nga një parking komunal dhe do të përfundojë në një garazh privat nën shtëpinë e tij, me hapësirë për tetë makina. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 10 milionë euro.
Miratimi dhe reagimet
Sipas gazetës Guardian, leja e ndërtimit u dha nga autoritetet komunale muajin e kaluar, duke shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe autoritetet lokale. Fqinjët po ankohen për zhurmën e vazhdueshme nga punimet e rinovimit, ndërsa grupet mjedisore po shprehin shqetësime në lidhje me ndërhyrjen në kodër.
Kryebashkiaku i ri, Bernhard Auinger, i cili punoi për Porsche për 27 vjet, ka pranuar se “pamja mund të ishte më e mirë”, por ka thënë se ka pak ndikim në një projekt që ai “e ka trashëguar“.
Udhëheqësja e të Gjelbërve në këshillin e qytetit, Ingeborg Haller, theksoi se “ajo që i ka tronditur njerëzit është se një individ privat lejohet të gërmojë malin për përfitimin e tij”, ndërsa zëvendëskryetari i bashkisë, një anëtar i Partisë Komuniste, foli për “standarde të dyfishta midis të pasurve dhe qytetarëve të zakonshëm”.
Nga ana e tij, komisioni i planifikimit të qytetit të Salzburgut, i cili miratoi rrugën në fillim të shtatorit, tha se projekti ishte në interes të publikut sepse për sa kohë që makinat Porsche ishin në tunel, ato nuk do të lëshonin tymra, nuk do të zinin hapësirë dhe nuk do të shkaktonin aksidente.
Historia e vilës
Vila ka një vlerë të veçantë historike, pasi ishte shtëpia e Cvajgut (Stefan Zweig) deri në vitin 1934, kur shkrimtari iku nga Austria për shkak të ngritjes së fashizmit. Atje ai priti shkrimtarë si Thomas Mann dhe James Joyce.

Shumë banorë besojnë se bashkia duhet ta kishte blerë pronën dhe ta kishte ruajtur atë si monument. Megjithatë, pas blerjes së saj nga Porsche, shtëpia mbetet një rezidencë private.
Pavarësisht reagimeve, projekti është miratuar tashmë nga komisioni i planifikimit të qytetit dhe pritet të fillojë së shpejti. Autoritetet thonë se rruga nëntokësore do të zvogëlojë trafikun dhe tymrat e shkarkimit në zonë, ndërsa banorët këmbëngulin se projekti i shërben ekskluzivisht vetë Porsche-s. /tesheshi.com/



