Fëmijët në Afganistan, për shkak të urisë, nuk janë në gjendje të ecin ose as të zvarriten. Numri i fëmijëve të kequshqyer në vend po rritet dita-ditës.

Pas tërheqjes së trupave amerikane, ndihma ndërkombëtare u ndërpre dhe kriza ekonomike u thellua. Lufta, uria dhe varfëria filluan të preknin fëmijët.

Pas 40 vitesh lufte civile, talebanët erdhën në pushtet dhe barra e vuajtjeve gjysmë shekullore goditi fëmijët dhe nënat e tyre.

Fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja, e cila përkufizohet si mungesë e vazhdueshme e lëndëve ushqyese të nevojshme për trupin e njeriut, janë të privuar nga qumështi i gjirit. Shkak është bërë kequshqyerja e nënave si pasojë e varfërisë në vend. Nënat nuk kanë akses në ushqimet bazë, gjë që prek edhe fëmijët e mitur.

Mungesa e suplementeve të nevojshme dietike shkakton një ngadalësim të dukshëm tek foshnjat dhe fëmijët.

Fëmijët 2 ose 3 vjeç duken si foshnja të moshës tetë ose dhjetë muajshe..

Halide 24-muajshe është vetëm një nga këta fëmijë. Ai ndodhet në këtë klinikë dhe ndonëse është 2 vjeç, ende nuk mund të qëndrojë në këmbë.

Halide, e cila erdhi në klinikë dy javë më parë, do të peshonte rreth 12 kilogramë nëse do të ishte zhvilluar normalisht. Gjendja e saj po përmirësohet duke ardhur në klinikë por ende nuk e ka kaluar kufirin kritik.

“Jam shumë e lumtur që shëndeti i saj po përmirësohet dita-ditës”, tha babai i saj Azimulah Safe.

E njëjta situatë është edhe me Gulsumin 25-muajshe.

Ajo erdhi në klinikë me pesë kilogramë dhe pas 2.5 muajsh pesha e saj u rrit në 6.4 kilogramë.

Vefa, një nënë 25-vjeçare, për ditë të tëra nuk hëngri veç bukë thatë dhe çaj.

Duke thënë se gjendja e tyre ekonomike është e keqe, Vefa tha se fëmijën e ka ushqyer vetëm me bukë, sepse nuk ka qumështin që i nevojitet për zhvillim.

Rritja e numrit të fëmijëve në klinika është një nga arsyet e alarmit.

Ndërsa spitalet aktualisht po përballen me shumë probleme, nënat që nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë të ushqimit të fëmijëve të tyre, po krijojnë radhë të gjata përpara klinikave të kequshqyerjes. Shumica e fëmijëve gjysmë të ndërgjegjshëm nuk kanë forcë dhe presin në radhë në prehrin e nënës së tyre.

Disa familje hezitojnë të flasin. Para këtyre institucioneve ka radhë të gjata ku kushtet nuk janë shumë të kënaqshme.

Kur nënat sjellin fëmijët e tyre, atyre u jepen suplemente afatshkurtër dhe kthehen në shtëpi dhe riekzaminohen pas dy javësh ose një muaji. Shumë fëmijë, të cilët ndryshe kanë nevojë për trajtim spitalor, dërgohen në shtëpi për shkak të kushteve të vështira në klinika apo pamundësisë për të pritur të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë.

Në spital janë shtruar vetëm fëmijët dhe foshnjat në rrezik për jetën, pasi kapaciteti i klinikës është i pamjaftueshëm.

Në tetor të vitit të kaluar, UNICEF deklaroi se 3.2 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç në Afganistan vuajnë nga kequshqyerja dhe të paktën 1 milion prej tyre janë në rrezik për vdekje.

Save The Children njoftoi më 19 janar se numri i fëmijëve të kequshqyer nën mbikëqyrje klinike është dyfishuar që nga gushti.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re