Deputeti Tritan Shehu e quan vendimin e marrë nga Kryesia e Partisë Demokratike për pezullimin e tij, nul. Shehu thotë se Partia Demokratike nuk ka as kryetar, as kryesi dhe as struktura të tjera që mund ta marrin këtë vendim.
“Nga kush kryesi të lutem? Sepse PD nuk ka as kryetar, as kryesi dhe as struktura të tjera. Çdo gjë tjetër është jashtë realitetit, është në vendim nul. Një grup njerëzish mund të mblidhet kur të dojë, dhe nëse vazhdojnë gjithë natës mund të kenë dhe çrregullime psikologjike, nuk ekzistojnë të tilla gjëra. Çdo njeri mund të thojë që unë marr x vendim, por është një qenie jashtë realitetit.
Grupi i rithemelimit do të vazhdojë të gjitha detyrat që iu la nga Kuvendi, deri në 22 Mars, kur pritet që të jenë dhe zgjedhjet e brendshme. Kuvendi i datës 11 Dhjetor është i vetmi Kuvend i ligjshëm, të gjitha të tjerat janë veprime në kundërshtim me realitetin.
Nuk merrem fare me persona që mblidhen si skutha gjatë natës, pranova të prononcohem, se është e çuditshme e gjitha kjo që ka ndodhur.
Unë nuk jam përjashtuar as përkohësisht dhe as përgjithësisht, unë jam absolutisht një nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD, unë nuk merrem me komedi, që tingëllojnë si groteske.
I shoh me përbuzje këto veprime, që kanë vetëm një qëllim, që të shkatërrojnë opozitën shqiptare. Edhe djegia e mandateve është bërë qëllimisht, për ti lënë fushë të lirë Edi Ramës që të bëjë se çfarë të dojë me Kushtetutën”, tha Shehu.