Deputeti Tritan Shehu kërkoi që në seancën e sotme plenare në Kuvend të ndryshohet rendi i ditës.
Gjatë fjalës në nisje të seancës, Shehu tha se Kuvendi duhet të diskutonte sot për pushtimin e Rusisë ndaj Ukrainës, e cila sipas tij përbën rrezik serioz për gjitha vendet. Deputeti tha se duhet të hartojnë një rezolutë, pasi Shqipëria është vend i NATO-s dhe rajoni është gjithashtu i kërcënuar nga agresioni rus.
“Të ndryshojë rendi i ditës. Sot jemi përpara një agresioni të madh të demokracisë dhe vlerave në Evropë. Rrezikon padyshim edhe rajoni tonë. Ky Kuvend, duhet të dalë sot me një rezolutë të qartë dhe të fortë, si parlament i një vendi të NATO-s dhe rajonit tonë që është i kërcënuar. Duhet të analizojë mirë marrëdhëniet midis vendeve dhe largimin nga influenca ruse. Ne duhet të diskutojmë së bashku për këtë situatë kaq të rëndë. Po të shikosh të gjitha parlamentet e vendeve evropiane po diskutojnë këtë çështje. Nuk duhet të rrimë pasiv në një agresion të tillë sepse jemi vend i NATO”, tha Shehu.
Mimi Kodheli tha se shteti shqiptar ka mekanizma të tjerë për të hartuar rezoluta dhe kërkoi që seanca të vazhdojë normalisht.
“Unë kam ardhur mbrëmë nga mbledhja e Asamblesë së NATO, ku sigurisht është diskutuar për Ukrainën. Shteti shqiptar ka shumë mekanizma duke filluar nga presidenti që mund të thërrasë këshillin e sigurisë. Sigurisht që ka edhe të drejtën të bëjë rezoluta, por vlerësoj që seanca duhet të vazhdojë normalisht. Shqipëria është vend i NATO merren vendime tjetërkund për këtë gjë”, tha Kodheli.
Kryetarja e Kuvendit hodhi në votim propozimin e Kodhelit dhe me shumicë votash u vendos të vazhdohet me rendin e ditës.
në Facebook, klikoni Join Group
…
/faxweb
