3 vite pas shpërthimit me tritol në objektin që po ndërtonte bizmesmeni Liman Gjoka në zonën e Ranës së hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës ka arrestuar një person të dyshuar si porositës i ngjarjes. Gazetari Gjergj Figuri raporton se në pranga ka rënë shtetasi Zef Kola, banues në Tiranë.
Më herët, si autorë të vendosjes së lëndës plasëse janë dënuar nga Gjykata e Lezhës, Erald Pajtani me 4 vite burg dhe Angli Stafuka me 2 vite. Gazetari raportoi se policia ka rënë në gjurmët e biznesmenit Zef Kola nga përgjimet ndaj dy të dënuarve, Pajtani dhe Stafuka, të cilët vunë tritolin në vitin 2020.
Motivi dyshohet të ketë qenë konflikti që kanë dy biznesmenët me njëri-tjetrin. Gjoka kishte nisur ndërtimin e objektit pranë ku kishte ndërtuar edhe Kola. Ky i fundit ka kërkuar që të mos ndërtonte pranë pasi do të ndikonte në shitjen e apartamenteve të tij. Por, Gjoka ka vijuar ndërtimin pasi ka pasur lejen.
Lidhja e Zef Kolës me dy të arrestuarit
“Në fakt, dy të rinjtë kanë marrë përsipër kundrejt pagesës për të vendosur tritolin. Ata ishin identifikuar nga një kamera sigurie që ka kapur mjetin në hyrje dhe pas vendosjes së tritolit targat ishin hequr. Edhe në 2019 kishin vendosur një sasi tritoli në këtë objekt por ka qenë me më vogël, ndërkohë në 2020 ka qenë më e madhe gjë që shkaktoi dëme.”, raportoi gazetari.
Çfarë ka deklaruar porositësi në polici?
Zef Kola nuk ka pranuar që ka qenë porositësi i vënies së tritolit. Por kanë qenë përgjimet e prokurorisë ndaj dy të arrestuarve dhe konflikti mes dy biznesmenëve që kanë çuar në hetime më të thella për Kolën.