Skip to content

Tritoli në banesën e deputetit, Bardhi: Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj Xhelal Mziut! Të zbardhet ngjarja

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me tritolin e vendosur në banesën e deputetit demokrat, Xhelal Mziu.

“Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj kolegut Xhelal Mziu”, theksoi ai.

Bardhi u shpreh se akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike.

Ai kërkoi që të zbardhet menjëherë ngjarja dhe të vendosen përpara përgjegjësisë autorët.

Gazment Bardhi: Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj kolegut Xhelal Mziu. Akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike dhe do të duhet të kishin alarmuar organet përgjegjëse të sigurisë.

Deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj.

Secili prej nesh, kolegëve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, është pranë deputetit Mziu dhe familjes së tij, dhe apelojmë në mënyrë urgjente institucionet përgjegjëse të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët e këtij krimi të shëmtuar. Çdo vonesë e pajustifikuar do të ishte për ne e papranueshme.